Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se është rritur numri i rasteve të raportuara të gripit, krahasuar me javët paraprake.
Megjithatë, IKShPK-ja shton se numri i rasteve është i nivelit të krahasueshëm me sezonën paraprake.
Që nga fillimi i sezonës së gripit-fillimi i muajit tetor e deri më tani, përmes Laboratorit të Mikrobilogjisë në IKSHPK, janë konfirmuar 52 raste të Gripit, disa prej të cilave për shkak të ashpërsisë, janë shtrirë për mjekim në spital.
Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve të rënda shëndetësore që mund të vijnë nga Gripi, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Gripit në njësitë e vaksinimit (QKMF/QMF) në komunën ku jetojnë.
“Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit. IKSHPK rikujton se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKSHPK, në fillim të sezonës së gripit 2024/2025, ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale”.
“Nga 30 shtatori deri me 30 nëntor janë administruar 61,467 doza për grupet e rrezikuara; grupmoshat mbi 65 vjeç; personat me sëmundje kronike; profesionistët shëndetësor; gratë shtatzëne dhe fëmijët 0-5 vjeç. Vaksina rekomandohet edhe për grupe të tjera të popullatës, pa dallim moshe”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
“Gjithashtu, qytetarëve u bëhet thirrje që t’i zbatojnë edhe masat e tjera parandaluese kundër Virusit të gripit sezonal dhe kontroll të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes”.
Burimi: botasot.info