Ikja e qytetarëve jashtë vendit, është kthyer së fundmi një temë diskutimi në vendin tonë.
Në një intervistë, Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare u shpreh se vendi ynë është në një situatë dramatike, dhe se të rinjtë ikin për një jetë më të mirë.
Qiraxhi theksoi se edhe pse situata është kritike, politika nuk shqetësohet për largimin e qytetarëve.
Migen Qiraxhi: Është një situatë dramatike, jemi të mbërthyer pas një situate që ka degraduar gjatë gjithë këtij tranzicioni ku ne gjithmonë kemi parë më të mirën jashtë vendit tonë. Sot është e sigurt se çdo shqiptar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, jeton më mirë dhe më me standarde në vende të tjera.
Sot jemi duke parë të rinj që lënë prindërit e tyre këtu dhe punën e tyre mbajnë dhe familjet këtu. Ky është një fenomen që nuk po adresohet. Institucionet po japin statistikat, por kjo nuk shqetëson askënd. Nuk kemi asnjë politikë të ndërmarrë nga qeverisësit.
Qiraxhi theksoi se më shumë se kurrë vendi ynë ka nevojë për praninë e shtetit, që të vendosë mekanizmat e duhur në mënyrë që qytetarët të mos largohen jashtë Shqipërisë.
Migen Qiraxhi: Ne sot kemi nevojë më shumë se kurrë sot për praninë e shtetit, i cili në fakt të vendosë mekanizmat e duhur për të mbajtur qytetarët brenda vendit.
Sipas tij shkak që shqiptarët po ikin është kapja që i është bërë shtetit dhe modeli i keq që po u jepet të rinjve.
Migen Qiraxhi: Ajo që ndodh me vendet fqinj, ku të rinjtë po ikin, ndryshon në aspektin se qeveritë dhe institucionet janë të shqetësuar. Po bëjnë politika për të penguar ikjen. Pyetja e madhe është se çfarë nuk shkon me këtë vend, që çdo i mirë ikën. Unë besoj se kjo është fryt i kapjes totale të shtetit. Në momentin që vendin do e drejtojnë krimi i organizuar, korrupsioni, kjo ka për të qenë një natyrë që ne vetëm do mundemi ta komentojmë por asnjëherë nuk mundemi ta ndalim.
I vetmi model që po u jepet të rinjve shqiptarë është modeli, i krimit, i pasurimit në mënyrë të shpejtë, i korrupsionit dhe këto modele për një pjesë të mirë të shqiptarëve nuk përqafohen. E vetmja mënyrë e tyre është të dalin jashtë vendit.