Kreu i komunës së Vushtrrisë, Ferat Idrizi, ka folur lidhur me deklaratën e ministrit Murati për tatimin në pronë.
Idrizi këtë proces e ka quajtur të pa logjikshëm.
Ai thotë se vetë ministria ka mundur t’i ekzekutojë pa përfshirjen e komunave.
“Ne deri në fund të muajit shtator e kemi buxhetin dhe do të bisedojmë atëherë dhe kur e kanë bërë ligjin s’ka pasur nevojë me i obliguar komunat kanë mundur vetëm me i ekzekutuar. Procesi i tatimit në pronë pa logjik është vetëm është dashur me ligj me ekzekutuar faljen e borxhit na e kishim ekzekutuar pa pasur nevojë me qitë në Kuvend fare”, theksoi Idrizi.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.
Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi pas reagimit të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur.