Qendra Laboratorike e aftësive të shekullit 21 ICTS dhe 6 nxënës së saj përfaqësuan Shqipërinë në Konkursin Rajonal të Robotikës organizuar në kuadër të Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor mbajtur në Prishtinë në datat 21-22 Shtator.
Organizuar nga Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (ECC), edicioni i pestë i Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor solli në Prishtinë ekspertë të TIK-ut, biznese, përfaqësues të qeverive, përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga BE dhe më gjerë.
Gara Rajonale e Robotikës u organizua nga Bonevet Prishtina dhe Kosova Makers League me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës dhe sponsorit të përgjithshëm ProCredit Bank në Kosovë.
Gjatë këtij eventi morën pjesë 21 grupe me 65 fëmijë të moshave 9-15 vjeç nga ICTSlab nga Shqipëria, Kosova Makers League nga Kosova, LOJA nga Maqedonia, Montenegro Robotics nga Mali i Zi, Croatian Makers nga Kroacia dhe Fond B92 nga Serbia.
Ekipi nga Shqipëria u rëndit i 6-ti nga 21 garues. Fituesit u shpërblyen me çmime si printera 3D ndërsa u dhurua micro:Marqueen Robots për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në garë.
Kjo ngjarje unike e robotikës bashkoi fëmijë të pasionuar ndaj teknologjisë duke krijuar eksperienca unike dhe të paharrueshme përmes kodimit.
Zhvillimi i garës u ndoq edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës znj. Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë znj. Belinda Balluku.
Në këtë samit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Belinda Balluku, Sekretari Gjeneral në Ministrinë e Inovacionit dhe Transportit të Gjermanisë Stefan Schnor.
Gjatë dy ditëve të Samitit Dixhital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”, morën pjesë rreth 1300 pjesëmarrës, janë mbajtur 11 panele me më shumë se 60 folës, ekspertë të ndryshëm nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK), biznese të ndryshme, përfaqësues të qeverive, përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga Bashkimi Evropian, përfaqësues nga Banka Botërore dhe më gjerë. /PCWorld Albanian