Ibrahimi: Bien pagesat e tatimit në pronë pas rritjes së çmimit

min lexim

Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë ka bërë që të ketë rënie drastike të pagesave të pronës nga qytetarët, tha për teve1.info kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, në këtë drejtim ka ndikuar edhe deklarimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, se komunat mund t`i falin nga 100 euro për qytetarët që paguajnë tatimin në pronë me rritje.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se kjo ka shkaktuar një huti të madhe te qytetarët të cilët nuk po dinë se si të veprojnë.

“Si pasojë e rritjes së faturave të tatimit në pronë për vitin 2023, në bazë të informatave që kemi nga drejtorët komunal të financave, ka rënie drastike të pagesave të qytetarëve për tatim në pronë. Sipas drejtorëve komunal, kjo është duke ndodhur sepse qytetarët janë në pritje të ndonjë vendimi se çka do të ndodhë me premtimin e Ministrit Murati që komunat mund t’i falin nga 100 euro si dhe ndryshimet ligjore të proklamuara nga Ministri Murati”, ka deklaruar Ibrahimi.

Sipas tij, komunat kanë kërkuar që vendimi për ngritjen e tatimit në pronë të pezullohet.

“Këtë mund ta bëjë ministri Murati, nëse ka vullnet sepse ka bazë ligjore, por gjithashtu komunat kanë kërkuar që të mos ketë ngritje të tatimit në pronë. Mendojmë që Ministri Murati duhet t’i tregoj qytetarëve se çka duhet të bëjnë, sepse nëse qytetarët nuk e bëjnë pagesën e tatimit në pronë në afatin e përcaktuar me ligj atëherë ekzistojnë edhe gjobat dhe ndëshkimet”, është shprehur Sazan Ibrahimi nga AKK.

Ai thotë se Ministria e Financave duhet edhe ta sqarojë dhe të jap zgjidhje për këtë problem.

Vendimi për rritjen e çmimit të tatimit në pronë është rritur bazuar në vlerësimin e pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, sipas Ligjit, realizohet në çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit ministria e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari të këtij viti.

Paraprakisht, vlerësimi është bërë në vitin 2019.

Story i mëparshëm

Nuk ka bukë 33 denarë as në Tetovë, ka vetëm 35 denarë (VIDEO)

Story i radhës

Gjermania prezanton politikën e jashtme feministe

Të fundit nga