Argjentina dhe Franca do të luajnë këtë të diel në finalen e Kupës së Botës në Katar 2022. Messi kundër Mbappe, një sfidë brezash që premton argëtim. Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic ka thënë se kush do të ngrejë Kupën e Botës në stadiumin Lusail Iconic.
“Mendoj se gjithçka është e shkruar tashmë”, ka rrëfyer sulmuesi 41-vjeçar suedez i Milanit. Fjalët e Ibrës për mediat vendase nuk fshehin asnjë akuzë apo dyshim, por lirisht mund të interpretohen si dëshirë dhe shpresë e tij.
“E dini se çfarë dua të them.
Mendoj se Messi do ta ngrejë trofeun, tashmë është shkruar”. Ibrahimovic ka lavdëruar vazhdimisht numrin dhjetë të Argjentinës.
Dy ditë para ndeshjes çerekfinale mes Albiceleste dhe Hollandës, në një intervistë për 433, Ibra shprehu dëshirën e tij: “Shpresoj që Argjentina të fitojë Kupën e Botës falë Messit”.
Zlatan Ibrahimovic është tifoz me “gjeniun” Messi në pritje të asaj që do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës së Pleshtit nga Rosario.