Qeveria ka nënshkruar ditë më parë kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), për fabrikën e municioneve në Kosovë.
Për këtë njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se është një hap i vonuar dhe kjo fabrikë është dashur të bëhet në vitin 2016.
Tutje, ai ka thënë se fabrika do të jetë e kushtueshme dhe investitori e ka qëllim përfitimin.
“Është hap i vonuar, por me mirë një herë se asnjëherë. Është dashur që të bëhet në vitin 2016 kur është bërë ligji për armë…Fabrika do të jetë shumë e kushtueshme dhe nuk do të jetë një fabrikë çfarë pretendohet që do të jetë. Fakt që do të jetë në Kosovë dhe do të mbulojë jo vetëm tregun e Kosovës, por ka pretendime që do ta mbulojë një treg më të gjerë sepse nuk mendon me ardh këtu dhe mos me përfitu”, ka thënë Ibishi.
Ndryshe, Kurti ka thënë se në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.
“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti.
Burimi: botasot.info