Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka filluar të ofrojë mbështetje në Ukrainë për katër termocentrale të tjera bërthamore.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA Rafael Mariano Grossi deklaroi se sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, në termocentralet operative bërthamore ishin të paimagjinueshme pak muaj më parë.
“Pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, termocentralet operative bërthamore të Ukrainës në Zaporizhzhia, Rivne, Ukraina e Jugut dhe Khmelnytskyi u shkëputën nga rrjeti dhe u detyruan të mbështeteshin te gjeneratorët emergjent me naftë për energjinë elektrike që u nevojiteshin për të garantuar sigurinë e tyre të vazhdueshme. Kjo situatë e paprecedentë do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë. Është thellësisht shqetësuese. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar një aksident bërthamor në cilindo prej këtyre objekteve bërthamore, gjë që vetëm sa do të shtonte vuajtjet e tmerrshme që po shohim tashmë në Ukrainë”, tha Grossi.
Katër impiantet shtesë janë Rivne, Khmelnytskyi, Ukraina e Jugut dhe Çornobili.
Që nga shtatori, ekspertët e IAEA kanë ofruar mbështetje në vend për Zaporizhzhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë, i cili është i pushtuar nga forcat ruse.
Burimi: GAZETA.MK