I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke me bimësi, në fshatin Tragjas, arrestohet në flagrancë autori, i cili dyshohet gjithashtu edhe si autor i një rasti tjetër të zjarrvënies, në fshatin Dukat.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatik, me fishek në fole.
Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për zjarrvënie, në fshatrat Kaninë dhe Zvërnec.
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum arrestuan në flagrancë shtetasin N. S., pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Tragjas, duke ndezur zjarr në një sipërfaqe toke me bimësi.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, me fishek në fole.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi N. S. është dhe autori i dyshuar i një rasti tjetër të zjarrvënies, më datë 15.09.2022, në fshatin Dukat, ku u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me bimësi të egër dhe një sipërfaqe toke me pemë ulliri.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasit:
-E. B., pasi duke bërë pastrimin e bimëve të egra në ullishten e tij, me anë të djegies me zjarr, dyshohet se aksidentalisht zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, në fshatin Kaninë;
-M. B., pasi duke punuar me troko, për shkak të shkëndijave janë djegur disa bimë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe me pemë ulliri.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, sepse do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.