Një krim i rëndë në familje tronditi Përmetin mëngjesin e së dielës (17 shtator), pasi 82-vjeçar Leonidha Peçi goditi për vdekje me shkop druri gruan e tij të moshuar, Afroviti Peçi në banesë në fshatin Pëllumbarë.
Sipas nipit të çiftit, ai i vizitonte shpesh gjyshërit e tij, por nuk i kishin treguar për dhunën që i moshuari ushtronte ndaj 80-vjeçares.
Në një lidhje telefonike në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, ai tregoi se nëna e tij dhe daja kanë ndërruar jetë vite më parë, ndërsa tezet e tij i kishin kërkuar çiftit të të moshuarve të shkonin të jetonin me to në Greqi, por s’kishin pranuar.
“Ka pasur denoncim nga e ndjera para disa vitesh. Kanë humbur dy fëmijët. Nuk e di nëse kanë pasur probleme të shëndetit mendor. E kemi kuptuar që gjyshi nuk ishte mirë, i bëmë të tëra. Nuk pinte. Daja ka shumë vite që ka ndërruar jetë, ndërsa nëna ime 4 vjet.
Unë vija shumë shpesh, i pyesja si jeni, më thoshin mirë. Nuk më tregonin.
Marrëdhënia e nënës sime me gjyshërit ishte shumë e afërt. Nga ana ekonomike ishin mirë, nuk kishin probleme.
Tezet e mia iu kishin kërkuar që të shkonin në Greqi për të jetuar me to dhe pranë tyre, por nuk kishin pranuar. Ne nuk e prisnim këtë që ndodhi”, tha nipi i të moshuarve.
Si ndodhi krimi:
Leonidha Peçi goditi për vdekje me shkop bashkëshorten e tij 80-vjeçare në banesën e tyre në fshatin Pëllumbarë.
Afroviti Peçi u gjet e pajetë nga shërbyesja e tyre rreth orës 06:30 të mëngjesit të së dielës (17 shtator).
Ajo ishte goditur me shkop druri nga bashkëshorti i saj, i cili ishte proceduar penalisht edhe më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.
82-vjeçari,pas shoqërimit në polici, ka pësuar infarkt është transportuar me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas në Tiranë.