Mustafa Sami Sahin mbeti i bllokuar në shkallët e një ndërtese të shembur për 102 orë përpara se të nxirrej i gjallë nga ekipi i kërkim shpëtimit në provincën Kahramanmaras.
Ai rrëfen se mundi të shpëtonte vetëm përmes një mesazhi të çuditshëm që iu dërgua rastësisht nga telefoni kushëririt të tij.
“Deri në momentin e mesazhit, askush nuk e kishte idenë nëse isha i vdekur apo gjallë nën rrënoja, apo nëse ndodhesha diku tjetër”, thotë Sahin.
Sahin nënvizon se ai kishte shkruar shumë mesazhe por askush nuk ishte dërguar te të afërmit e tij, përveç njërit që u shkrep rastësisht nga telefoni.
“Asnjë nga mesazhet që u përpoqa t’i dërgoja nuk u dërgua. Por një SMS e çuditshme iu dërgua rastësisht kushëririt tim në Tekirdag. Mesazhi ishte vetëm një numër “8”. Nuk ishte një mesazh i qëllimtë nga ana ime”, tha Sahin për Anadolu Agency.
I bllokuar poshtë shkallëve të një ndërtese të shembur, Sahin tha se shpesh gjatë orëve që ishte nën rrënoja mendonte dhe pyeste veten nëse do të ishte më mirë të vdiste apo të qëndronte gjallë.