Bilanc shqetësues natën e ndërrimit të viteve në Itali. Nga festimet, 180 persona u plagosën, nga të cilën 11 raste jane më të rënda. Aktualisht janë 48 persona të shtruar në spitale.
Rasti më i rëndë është në Taranto, një fëmije 10 vjeç i është prerë dora nga shpërthimi i një fishekzjarre. Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni.
Në Lecce, një 80-vjeçar nga Ruffano u shtrua me urgjencë në spital pasi u plagos nga shpërthimi i një fishekzjarre pranë kokës. Edhe ai iu nënshtrua operacionit sepse gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Policia po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes.
Në Milano, një 25-vjeçar me origjinë marokene mbeti i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në via Giambelino. Për këtë ngjarje u arrestua në 43-vjecar. Po ashtu, nga hedhja e fishekzjarrëve në sheshin e famshëm Piazza Duomo, ku ishin 20 mijë njerëz, 14 u plagosën. Mes tyre një 21-vjeçar që pësoi prerjen e tre gishtave të dorës së majtë.
Edhe në Vercelli, shpërthimi i një fishekzjarri shkaktoi plagosjen e një 30-vjeçareje, e cila rrezikonte të humbte dorën e saj. Po ashtu një 16-vjeçar u dërgua në spital. Ai shoqërohej nga prindërit kur një fishekzjarrë e madhe shpërtheu poshtë makinës.
Ngjarje të rënda ka edhe në Napoli ku në të gjithë krahinën numri i të plagosurve është 16 persona. Rasti më i rëndë ka të bëjë me një 16-vjeçar i cili u qëllua në fytyrë nga një armë zjarri. Ai po festonte vitin e ri me familjen e tij në ballkonin e banesës së xhaxhait kur ndjeu goditjen në fytyrë. Edhe në Reggio Calabria një 40-vjeçar mbeti i plagosur rëndë gjatë festimeve.
Natën e Vitit të Ri në Romë u shkatërruan 59 makina që u dëmtuan nga flakët pas shpërthimit të fishekzjarrëve nga mesnata deri në 5 të mëngjesit në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Burimi: GAZETA.MK