Policia ka ngritur 18 kallëzime penale ndaj 12 policëve dhe 6 të punësuarve në pikën e pagesës rrugore Rramanli, që e lidhë Shkupin dhe Kumanovën, përcjell TV21. Ata dyshohen se në bashkëpunim, kanë kryer favore duke i mundësuar të punësuarve në MPB që të mos paguajnë pagesën rrugore prej 60 denarëve.
Sipas hetimeve të policisë, nga 1 janari deri më 15 gusht, të punësuarit në Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” kanë pasur një listë me targa të veturave private të policëve të cilëve nuk iu kanë marrë para kur kanë kaluar pikëpagesën. Në këtë periudhë janë bërë 959 kalime të këtilla. Nga kjo, dëmi në buxhet të shtetit arrin rreth një mijë euro. Ndaj 18 të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për “shpërdorim me detyrën zyrtare”, ndërsa policët dhe të punësuarit në pikat pagesore janë suspenduar nga puna.
Burimi: tv21