Një rast i mos deklarimit të të hollave në kufi është goditur nga policia e Murriqanit këtë të diel. Shërbimet e policisë kufitare kanë mundur të sekuestrojnë 14.900 euro dhe të procedojnë penalisht poseduesin i cili nuk i deklaroi.
Materialet nb ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin T. B., 34 vjeç banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.900 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin T. B., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.