Po vjen data 2 dhjetor, Serbia gjithnjë e në siklet sepse ka punë me kombëtaren e Zvicrës dhe me dy yjet nga Kosova, kapitenin Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
22 qershori i vitit 2018, ende është i freskët për Beogradin dhe Serbinë, humbja me rezultat 2:1 në Kaliningrad nga Zvicra dhe eliminimi nga golat e shqiptarëve të Kosovës, Xhakës dhe Shaqirit, ende iu dhemb serbëve.
Një farë mediumi serb, satelit i Aleksandër Vuçiqit, “Novosti”, ka pyetur nga sikleti: “Zviceran apo shqiptar, kush jeni ju?
“Në të kaluarën u mundëm nga Zvicra me rezultat 2:1. Golat i shënuan Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët pasi shkundën rrjetat provokuan përfaqësuesit tanë duke treguar shqiponjën dykrenare shqiptare.
Lidhja mes Shqipërisë dhe Zvicrës është padyshim e madhe, siç e tregon edhe detaji nga stadiumi “974” në Doha.
Gjegjësisht, në tribunat para ndeshjes mes Zvicrës dhe Brazilit është shfaqur flamuri shqiptar, ku duket qartë se nuk i takon, pasi Shqipëria nuk është pjesëmarrëse në Botërorin e Katarit.
Shtrohet pyetja nëse zviceranët janë përgatitur vetëm për ndeshjen me “shqiponjat” e Piksit *Dragan Stojkoviq. Nuk ka dyshim se do të ketë provokime.
Në pankinë është një turk, në fushë është skuadra botërore e drejtuar nga shqiptarët dhe në tribunë janë fqinjët tanë nga jugu
Serbinë e pret një detyrë e vështirë përballë një legjioni të vërtetë e të vogël të huajsh, të cilët prej vitesh vdesin për ngjyrat e Zvicrës në pothuajse të njëjtën përbërje“, shkruan ky farë mediumi.
Më 2 dhjetor, në orën 20.00 takohen Zvicra – Serbia, në kuadër të xhiros së tretë të Kampionatit Botëror.
Zvicrës i mjafton barazimi. Brazili kryeson me 6 pikë, pasojnë Zvicra 3, Kameruni 1 dhe Serbia me 1 pikë.