Emisioni “Piranjat” i moderuar nga Arilena Ara dhe Florjan Binaj, kanë trajtuar këtë të diel situatën tragjike ku jetojnë banorët të cilët iu shembën shtëpitë nga tërmeti.
Të gjithëve na kujtohet ai mëngjes i frikshëm i 26 nëntorit të vitit 2019-të, ku një goditje e madhe tërmeti na ngriti nga gjumi të terrorizuar, duke parë në sy familjarët se a janë mirë, dhe me mendjen tek të afërmit se si është gjendja e tyre.
Nga ai tërmet tragjik humbën jetën me dhjetëra persona në Thumanë, Durrës dhe Tiranë, si dhe me qindra të tjerë u plagosën, por u shkatërruan edhe pallate dhe shtëpi.
Pavarësisht reagimit të shpejtë të institucioneve, ndihmës së huaj, sërish sot ka banorë që ende jetojnë ën çadra apo kasolle në kushte mizerable, pasi banesat ku ata do të futen nuk kanë mbaruar ende.
Ledjona Xheladinaj, udhëtoi pak kilometra larg Tiranës, në fshatin Bubq, për të na treguar se si jeton nënë Fatushja, të cilës iu prish shtëpia nga tërmeti.Edhe pse xhirimet janë bërë në muajin shkurt të 2022, gjendja e nënë Fatushes mbetet sërish e pandryshuar.
Siç e thamë edhe më lart Ledjona vendosi të qëndrojë një natë në shtëpinë e asaj nëne të moshuar që përveç tërmeti i është dashur të përballojë fatkeqësi të tjera në jetë, si humbja e bashkëshortit në moshë të re, dhe ajo e djalit të saj në Greqi.
Siç edhe e shihni në videon e emisionit “Piranjat’ në Abc, gjendja ku jeton e moshuara është katastrofale, jeton në një kasolle ku çfarë fryn jashtë futet brenda.
Ajo që na vjen përmes këtij rrëfimi është një natë e gjatë dimri, mjaft e ftohtë, që për të moshuarën e vjetmja ndjesi ngrohtësi vjen nga Ledjona e cila i qëndron në kasolle për t’i treguar se ajo nuk është vetëm, pasi “Piranjat” dhe Abc përmes kësaj videoje do të kërkojnë të prekin jo vetëm zemrat e shqiptarëve të mirë, por edhe të vërë në lëvizje institucionet që mos e lënë në harresë këtë nënë që fati e ka goditur disa herë në jetë.
“Vetëm një shtëpi dua”, këto janë fjalët e nënë Fatushes, dhe me këto fjalë mbyllet edhe kronika, për t’i lënë tashmë radhën shtetit, por jo për ta harruar, pasi misioni nuk mbaron asnjëherë pa një strehëz mbi kokë për këtë grua që hallet dhe tragjeditë e kanë goditur fort në jetë.