Kryeministri bullgar Galab Donev tha sot se Holanda kundërshton ofertën e Bullgarisë për t’u bashkuar me zonën Shengen të BE-së për udhëtime pa pasaporta, përpara një takimi të ministrave të brendshëm evropianë këtë javë për të diskutuar këtë çështje.
Donev iu referua komenteve të kryeministrit holandez Mark Rutte i cili shprehu kundërshtimin ndaj pranimit të Bullgarisë javën e kaluar, duke përmendur shqetësimet e tij lidhur me mungesën e pretenduar të rregullave efektive kundër korrupsionit.
Donev tha se Bullgaria i plotëson të gjitha kushtet për të hyrë në zonën Shengen dhe se kundërshtimi ndaj hyrjes së saj mund të krijojë një ndarje brenda BE-së.
Ai i quajti dyshimet e Holandës standarde të dyfishta.
“Në ditët e ardhshme, qeveria do të vazhdojë punën aktive me partnerët e saj për të siguruar pranimin e saj në zonën Shengen,” tha Donev.
“Në të njëjtën kohë, në varësi të rezultatit, qeveria është e gatshme të marrë në konsideratë përgjigjen e saj, duke përfshirë edhe miratimin e kundërmasave”, theksoi ai.
Austria ka njoftuar se kundërshton shtrirjen e Shengenit në Bullgari dhe Rumani.
Vendet anëtare të BE-së, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania duan t’i bashkohen zonës Shengen dhe për këtë kanë nevojë për mbështetje unanime në takimin që do të mbahet më 8 dhjetor.
Komisionarja e BE-së për Punët e Brendshme Ilva Johansson tha se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia u hetuan tërësisht dhe rezultati ishte se ato i përmbushin të gjitha kushtet e Shengenit.
Megjithatë, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për një grup gazetash evropiane të botuara sot në të përditshmen çeke “Hospodarske Novini”, tha se para disa muajsh ishte optimist për hyrjen e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. në zonën Shengen, por që, tani, kur duhet të merret një vendim, atmosfera është ndryshe.
Burimi: GAZETA.MK