Ky institucion duhet të mbikqyrë përdorimin e fondeve të BE-së. Qeveria e kryeministrit Viktor Orban shpreson, që Brukseli t’i zhbllokojë paratë e pezulluara deri tani në shuma miliardëshe.
Në grindjen me Komisionin e BE-së lidhur me shpërdorimet e mundshme të parave të BE-së, Hungaria ka deklaruar, se do të krijojë një autoritet të pavarur kundër korrupsionit. Detyra e këtij autoriteti do të jetë “të parandalojë parregullsitë dhe shkeljet dhe t’i korrigjojë ato”, thuhet në dekretin e qeverisë së kryeministrit Viktor Orban.
Ky hap ka për qëllim zhbllokimin e parave të pezulluara nga BE-ja. Udhëheqja e djathtë nacionaliste në Hungari është përplasur me Brukselin lidhur me korrupsionin, migracionin, të drejtat e komunitetit LGBTQ dhe standarded demokratike. Brukseli e akuzon atë, se po minon shtetin ligjor, dhe refuzon të miratojë paratë për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë COVID-19.
Dyshime për pasurim me paratë e BE-së
Kjo ka të bëjë me dyshimet, se një “klikë” rreth kryeministrit në dëm të buxhetit të përbashkët të BE-së është pasuruar me këto fonde. Disa miliarda euro ndihma të BE-së për Hungarinë janë pezulluar dhe kërcënojnë edhe sanksione të tjera.
Qeveria në Budapest do ta përpilojë projektligjin për krijimin e autoritetit të pavarur kundër korrupsionit deri në fund të muajit për ta kaluar atë në parlament. Qeveria parashikon, që ky institucion mund të nisë nga puna deri më 21 nëntor. Qeveria gjithashtu do të angazhojë një grup pune për luftën kundër korrupsionit, që do të këshillojë autoritetin e ri.
Gjysma e anëtarëve të këtij grupi do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, gjysma tjetër nga përfaqësues të organizatave joqeveritare. Gazeta me orientim të majtë “Nepszava” komenton: “Kjo qartazi do të thotë, se qeveria e Orbanit është gjunjëzuar para Komisionit të BE-së.”/DW