“Human Rights Watch” akuzon Izraelin për gjenocid; u ka mohuar qasjen tek uji banorëve të Gazës

December 20, 2024
min lexim

Organizata “Human Rights Watch” tha të enjten se Izraeli ka shkaktuar vdekjen e mijëra palestinezëve në Gazë duke u mohuar atyre ujin e pastër, që ligjërisht përbën akt gjenocidi dhe shfarosjeje.

“Kjo politikë, e zbatuar si pjesë e vrasjes në masë të civilëve palestinezë në Gazë, nënkupton se autoritetet izraelite kanë kryer krime kundër njerëzimit, të shfarosjes, që ende po vazhdojnë. Kjo politikë gjithashtu përbën një ‘akt gjenocidi’ sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948”, thuhet në raportin e “Human Rights Watch”.

Izraeli vazhdimisht ka kundërshtuar akuzat për gjenocid, duke thënë se ka respektuar ligjin ndërkombëtar dhe se ka të drejtën të mbrohet pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi luftën.

Në një deklaratë në platformën X, Ministria e Jashtme e Izraelit shkroi: “E vërteta është plotësisht e kundërta e gënjeshtrave të HRW-së”, duke shtuar se Izraeli ka mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë dhe ndihma në Gazë.

Ndonëse raporti përshkruan mohimin e ujit si një akt gjenocidi, gjithashtu thekson se për ta dëshmuar krimin e gjenocidit kundër zyrtarëve izraelite duhet përcaktuar qëllimin e tyre për një akt të tillë. Raporti iu referohet deklaratave të disa zyrtarëve të lartë izraelitë, për të cilat thotë se sugjerojnë se “dëshirojnë të shkatërrojnë palestinezët”, e që do të thotë se mohimi i ujit “mund të përbëjë krimin e gjenocidit”.

“Ajo që gjetëm është se qeveria izraelite me qëllim po vret palestinezët në Gazë duke ua mohuar atyre ujin që iu duhet për të mbijetuar”, tha drejtorja e HRW-së për Lindjen e Mesme, Lama Fakih.

Në përgjigje ndaj raportit, Izraeli tha se është siguruar që infrastruktura e ujit vazhdon të jetë funksionale. Ai tha se partnerët ndërkombëtarë kishin dërguar ngarkesa me ujë përmes kalimeve kufitare izraelite, përfshirë javën e kaluar dhe se Izraeli ka lehtësuar futjen e mbi 1.2 milionë tonë ndihmash humanitare në Gazë.

Ushtria tha se 2,500 kamionë, me mbi 51 mijë tonë ujë kanë hyrë në Gazë që nga fillimi i luftës dhe se ka ndërtuar tre tubacione uji dhe ka lehtësuar ndërtimin e dy të tjerave shtesë që janë dhuruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Krahas tyre, një fabrikë për pastrimin e ujit nga kripa, me kapacitet prodhues prej 20 mijë metra kub ujë në ditë, që ndodhet në qytetin jugor Khan Younis në Rripin e Gazës, vazhdon të jetë funksionale, sipas burimeve izraelite të sigurisë.

Organizata ‘Human Rights Watch’ është organizata e dytë e madhe për të drejtat e njeriut që brenda muajit të fundit ka përdorur fjalën gjenocid për të përshkruar veprimet e Izraelit në Gazë. Organizata ‘Amnesty International’ në raportin e saj të fundit tha se Izraeli po kryente gjenocid.

Të dy raportet publikohen vetëm disa javë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër arreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish Ministrin e tij të Mbrojtjes mbi dyshimet për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata i hodhën poshtë akuzat.

Konventa e Gjenocidit e vitit 1948, e cila u miratua pas vrasjes në masë të hebrenjve nga nazistët gjatë Holokaustit, e përkufizonin krimin e gjenocidit si “akte të kryera me qëllim shkatërrimin, plotësisht apo pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

‘Human Rights Watch’ thotë se Izraeli ndali furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gazë si dhe kufizoi sasinë e karburanteve në këtë territor, duke ia pamundësuar Gazës që të përdorte ujësjellësin e saj.

Palestinezët në shumë pjesë të Gazës kanë qasje vetëm në disa litra ujë në ditë, që është shumë më pak se minimum i 15 litrave në ditë, i nevojshëm për të mbijetuar, sipas organizatës./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Apple Maps ka një përgjigje për Google Street View

Story i radhës

5 gjëra të thjeshta që mund të bëni gjatë seksit për ta bërë më të mirë

Të fundit nga

Si po lëkundet rendi liberal kudo në Perëndim

Në mbarë botën perëndimore, rendi liberal po humb terren, ndërsa partitë e qendrës së majtë përballen me sfida të mëdha nga elektorati, rivalët politikë dhe ndryshimet sistemike. Idealet dikur dominuese, si globalizimi,
ShkoLartë