Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, tha se ushtria ruse mund të ketë shkelur ligjet e luftës me sulmin e kryer në qytetin Irpin të Ukrainës.
Për disa orë më 6 mars, forcat ruse kanë bombarduar një kryqëzim rrugësh në qytet, të cilin civilët e kanë përdorur për të ikur nga bombardimet, tha Human Rights Watch.
“Natyra e përsëritur e sulmeve, të cilat sipas Qeverisë së Ukrainës kanë vrarë së paku tetë civilë, sugjeron se forcat ruse kanë shkelur detyrimet e tyre me ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer sulme joproporcionale që dëmtojnë civilët”, tha kjo organizatë.
Irpini është një qytet i vogël që ndodhet në perëndim të Kievit.
Të martën, autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan për hapjen e disa korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.
Një korridor i tillë u hap edhe në Irpin dhe guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, konfirmoi evakuimin e qindra civilëve nga qyteti.
Civilët kanë qenë të bllokuar atje qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.