Izraeli po përdor urinë si një “armë lufte” në Gaza duke ua ndërprerë qëllimisht qasjen njerëzve në ujë dhe ushqim, gjë që është një krim lufte, ka thënë të hënën Human Rights Watch (HRW).
“Forcat izraelite po bllokojnë qëllimisht shpërndarjen e ujit, ushqimit dhe karburantit, ndërkohë që me dashje pengojnë ndihmën humanitare, me sa duket duke rrafshuar zonat bujqësore dhe duke privuar popullatën civile nga objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre”, tha grupi i të drejtave në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja.
Organizata vuri në dukje deklaratat e bëra nga zyrtarë të lartë izraelitë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministrin e Energjisë, Israel Katz mbi qëllimin e tyre për të “privuar civilët në Gaza nga ushqimi, uji dhe karburanti – deklarata duke reflektuar një politikë që po zbatohet nga forcat izraelite”.
Zyrtarë të tjerë izraelitë, shtoi organizata, kanë deklaruar publikisht se ndihma humanitare për Gazën do të kushtëzohej ose me lirimin e pengjeve të mbajtura në mënyrë të paligjshme nga Hamasi ose me shkatërrimin e Hamasit.
“Për më shumë se dy muaj, Izraeli ka privuar popullsinë e Gazës nga ushqimi dhe uji, një politikë e nxitur ose e miratuar nga zyrtarë të lartë izraelitë dhe që pasqyron një qëllim për të bërë civilët të vuajnë nga uria si një metodë lufte”, ka vlerësuar Omar Shakir, drejtor i HRW për Izrael dhe Palestinë.
“Udhëheqësit botërorë duhet të flasin kundër këtij krimi të neveritshëm lufte, i cili ka efekte shkatërruese mbi popullsinë e Gazës”.
HRW tha se ligji ndërkombëtar humanitar, ose ligjet e luftës, ndalon “ndalimin e ushqimit” për civilët si një metodë lufte.
Andaj, HRW i bëri thirrje Tel Avivit që menjëherë të ndalojë përdorimin e urisë së civilëve si një metodë lufte dhe të respektojë ndalimin e sulmeve ndaj objekteve të nevojshme për mbijetesën e popullatës civile dhe heqjen e bllokadës së Rripit të Gazës.
Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi kanë vrarë më shumë se 18,700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur shumë të tjerë.