Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas takimit të djeshëm në Kretë të Greqisë mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas Hotit, dialogu do të duhej të zhvillohej në Bruksel, e jo siç tha ai, “nëpër skuta e hotele të plazheve”.
“Stop dialogut nëpër skuta e hotele të plazheve. Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, ky takim ishte zhvilluar në kuadër të Simpoziumit e Symit në Greqi.
“Pata një bisedë të gjatë me EUSR-n Miroslav Lajcak, në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, kishte shkruar Kurti.
Teksa zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi do të marrë pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.