Ish-kryeministri dhe tani deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, për deklaratat sa ai kishte qenë kryeministër.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka kujtuar 4 shtatorin e 2020 kur ka pranuar kërkesën e SHBA-së për ta shtyrë aplikimin për anëtarësin në organizata ndërkombëtare.
Sipas tij, ky veprim quhej tradhti nga opozita e atëhershme.
“Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën
Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.
Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, presidentja pa bazë ka shtyrë zgjedhjet në veri, mirëpo duke krahasuar situatat e vitit 2020, Hoti thotë shton se “Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”.
“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.
Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:
– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.
– Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka shkruar Hoti tutje.