Holandë, raporti i agjencisë së inteligjencës paralajmëron për rritje të kërcënimeve të sigurisë

Raporti i fundit i agjencisë holandeze të inteligjencës paralajmëron për rritje të kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme kundër sundimit të ligjit, transmeton Anadolu.

Raporti “AIVD 2022” thoshte se kërcënimet ndaj vendit janë shtuar për shkak të luftës në Ukrainë, aktivitetit të spiunazhit dhe sulmeve kibernetike.

Duke folur në një konferencë për media mbi raportin, Erik Akerboom, drejtor i Shërbimit të Përgjithshëm të Inteligjencës dhe Sigurisë (AIVD), tha se Kina është “kërcënimi më i madh ekonomik” për Holandën.

Ai u shpreh se Kina po shënjestron teknologjitë e reja në Holandë dhe vazhdimisht po përpiqet t’i vjedhë këto teknologji.

Muajin e kaluar, qeveria holandeze tha se kishte kufizuar eksportin e pajisjeve për prodhimin e çipave dhe lëndëve të para të përdorura në prodhimin e çipave në Kinë.

Raporti tha gjithashtu se ideologjitë radikale, kërcënimet terroriste, sulmet kibernetike, sabotazhi dhe krimi i organizuar, minojnë sundimin e ligjit në vend.

Duke përmendur se Rusia ishte përpjekur të merrte informacion nga vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Holandën, raporti kujtoi se Holanda ka dëbuar 17 diplomatë rusë për spiunazh.

Në raport gjithashtu thuhet se gjuha e urrejtjes kundër besimeve të ndryshme dhe grupeve fetare në vend është rritur, ndërsa kërcënimet nga grupet e ekstremit të djathtë dhe radikal janë parandaluar nga AIVD.





Story i mëparshëm

5 mjete AI që do të shumëfishojnë produktivitetin tuaj

Story i radhës

Apeirophobia: Frika nga pafundësia

Të fundit nga