Mos zgjidhja e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, për 22 vite është përgjegjësi e BDI-së, e cila asnjëherë nuk ka pasur iniciativë konkrete për të zgjidhur statusin, ka deklaruar kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda. Duke komentuar deklaratën e një dite më parë të nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski, se BDI asnjëherë nuk ka kërkuar zgjidhjen e statusit të UÇK-së, Hoda thotë se funksionarët e BDI-së vetëm kanë bërë deklarata “sa për të larë gojën” atëherë kur ka qenë në shprehje interesi personal ose grupor i funksionarëve të partisë, por për 20 vite, asnjëherë nuk e kanë rrezikuar pushtetin për të vendosur si kusht zgjedhjen e statusit të UÇK-së.
“Ajo që është më fyese nga të gjithë është se në Kushtetutën e Maqedonisë, pjesëtarët e UÇK-së sot e kësaj dite llogariten si terroristë. Fatkeqësisht them, disa komandant, lufte disa pjesëtar të luftës, por edhe vetë kreu politik i UÇK-së edhe sot e kësaj dite gëzon benefite në emër të asaj UÇK-së të lavdishme, gjithmonë vetëm për interesa personale dhe grupore. Ju i dëgjuat edhe deklaratat e fundit të para disa ditëve që merren me trena, merren me tornado… ndërsa ato tornado drejtohen vetëm atëherë kur janë në pyetje interesat personale, grupore të tyre, por jo kur janë në pyetje mbrojta e interesit kolektiv të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Besim Hoda, OVL- UÇK.
Duke komentuar deklaratën e Mucunskit se statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së nuk mund të jetë i barabartë me atë të Branitellave pasi këta të fundit kanë mbrojtur rendin Kushtetues, Hoda thekson se ndryshimi i kushtetutës në atë kohë dëshmon të kundërtën.
“Me mbarimin e luftës u nënshkrua një marrëveshje reale me çka shteti pranoi fajësinë që kishte dhe lufta e UÇK-së u legalizua, e vërteta flet që “Branitellat” nuk kishin të drejtë në mbrojtjen e atij rendi kushtetues pasi u ndryshua ai rend kushtetues dhe pritëm që të vij një rend tjetër kushtetues”, deklaroi Besim Hoda, OVL- UÇK.
Hoda shton se Marrëveshja e Ohrit legalizoi luftën e UÇK-së, ndërsa të drejtat e shqiptarëve të garantuara në letër, shumë pak zbatohen në realitet./Alsat.mk