Shamia për gratë myslimane ose hixhabi ka zënë vend në qendër të fushatës presidenciale franceze, të premten, më 15 prill, në mes të përpjekjeve të kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen për t’i ndaluar ato, në vendin me popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.
Si ajo, ashtu edhe rivali i saj Emmanuel Macron, që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve më 24 prill, u përballën me gra me shami, të cilat pyesnin pse zgjedhjet e tyre të veshjeve duhet të përfshihen në politikë.
Macron nuk do të kishte ndaluar veshjet fetare, por mbikëqyri mbylljen e disa xhamive dhe grupeve islamike.
Shumë myslimanë konsiderojnë që fushata presidenciale ka stigmatizuar padrejtësisht besimin e tyre.
Në një treg në qytetin jugor Pertuis, një grua me mbulesë kaltër-bardh iu afrua Le Penit, ndërkohë që kandidatja për presidente po kalonte pranë tregtarëve të peshkut dhe shitësve për të përshëndetur mbështetësit.
“Çfarë bën shamia në politikë?”, pyeti një grua, raporton AP.
Le Pen mbrojti pozicionin e saj, duke e quajtur shaminë një “uniformë të imponuar me kalimin e kohës nga njerëz që kanë vizion radikal të islamit”.
“Kjo nuk është e vërtetë”, ia ktheu gruaja. “Kam filluar të mbaj shami kur isha grua në moshë… Për mua kjo është shenjë se jam gjyshe”.
Gruaja theksoi se babai i saj kishte shërbyer në ushtrinë franceze për 15 vjet.
Marine Le Pen, kandidatja e partisë së ekstremit të djathtë francez në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2022, flet me një grua me shami gjatë një vizite në treg ndërsa drejtonte një fushatë në Pertuis, afër Marsejës në jug të Francës.
Kundërshtimi i Le Penit ndaj shamisë ka përfshirë atë që kritikët e saj thonë se e bën të rrezikshme për unitetin francez, duke stigmatizuar miliona myslimanë francezë.
Le Pen, gjithashtu, do të zvogëlonte migracionin dhe dëshiron të ndalojë therjen rituale të kafshëve, gjë që për myslimanët francezë dhe për hebrenjtë do të kufizonte qasjen te mishi kosher dhe hallall.
Macron gjithashtu diskutoi për shamitë, të premten, në televizionin France-Info. Ai u përpoq të distancohej nga Le Pen duke thënë se nuk do të ndryshonte asnjë ligj, por mbrojti ndalimin ekzistues të mbajtjes së shamive në shkolla, si pjesë e parimeve laike franceze.
Gruaja me shami, Sara El Attar tha se ndihej e ofenduar nga komentet e mëparshme të Macronit, në të cilat ai sugjeronte se shamitë destabilizojnë marrëdhëniet midis burrave dhe grave.
Gratë franceze “janë dënuar vitet e fundit për një shami të thjeshtë dhe asnjë lider nuk denjoi ta dënojë atë padrejtësi”, tha ajo.
Ajo përsëriti argumentin që shumë gra me mbulesë në Francë e thonë: se njerëzit gabimisht mendojnë se nuk janë të mbuluara nga zgjedhja personale, por sepse burrat i detyrojnë të mbajnë shami.
Macron këmbënguli për të mbrojtur qëndrimin e tij.
“Për mua personalisht, çështja e shamisë nuk është një obsesion”, tha Macron.
Por, kritikët thonë se qeveria e tij ka nxitur paragjykime kundër myslimanëve duke hedhur poshtë ato që ai i pretendon se janë përpjekjet e disa myslimanëve për të krijuar hapësirë në Francë për një interpretim më të rreptë të islamit./REL