Në prill të vitit 1999, banorët e fshatit Domaj të Shqipërisë, gjetën një trup të pajetë në lumin Drini i Bardhë.
Shumë shpejt u kuptuan që ky trup i përkiste një të riut i cili ishte vrarë në luftën e Kosovës. Në këtë fshat, ky kosovar qëndroi i varrosur për plot 18 vjet.
Rreth liqenit doli në prillin e vitit 1999.
Por, ajo që pa në këtë vend Osman Thaçi, e tronditi atë.
Valët e Drinit të Bardhë këtu në Domaj të Kukësit, kishin sjellë një trup të pajetë.
Më ta parë trupin, Thaçi thotë se e kuptuan se ishte dikush i vrarë në luftën e Kosovës.
“E ditëm se nuk ishte i mbytur në ujë. Kishte shenja plumbash në kokë, predha i kishte kapur kokën pas. Kishte veshur rroba, trenerka që i thoni ju”, shprehet Osman Thaçi, banor i fshatit Domaj
Por, banorët e Domajt të Shqipërisë, këtë trup nuk e lanë ku e gjetën.
Këta u organizuan dhe i kryen ritet fetare djaloshit të ri, identitetin e të cilit atëkohë nuk e dinin.
“Ka qenë Shpend Thaçi, ka kryer shkollën në Elbasan. Nuk ka qenë imam po u falke shumë. Ai e organizoi dhe ia falëm xhenazen me 10 vetë të katundit tonë dhe e varrosëm në këtë vend”, tregon Thaçi.
Identitetin e djaloshit të ri, banorët e këtij fshati e mësuan vetëm dy dekada më pas.
Bëhet fjalë për Vegim Qerkezin, i cili u vra nga forcat serbe me 27 mars qytetin e Gjakovës.
Pavarësisht se trupi i tij tani është tërhequr nga Institucionet e Kosovës në vitin 2017, banorët nuk e kanë harruar martirin nga Kosova.
Por, si u rrëmbye dhe u vra nga shtëpia e xhaxhait në Gjakovë, Vegim Qerkezi?
“Mbrëmjen e 27 marsit kanë hyrë forcat policore në shtëpi….i kanë rrethuar dhe i kanë legjitimuar, ua kanë kërkuar dokumentet. Pastaj ju thanë rrinit qetë, në momentin që kanë dalë prej derës, kanë hyrë njësiti tjetër dhe i kanë marrë i kanë fut në një kamion dhe i kanë çuar në një drejtim të panjohur” , shprehet Kasim Qerkezi, babai i Vegimit.
Babai i Vegimit, Kasimi, thotë se për 20 vjet, nuk kishin as edhe një informacion për fatin e të birit.
“ Përderisa ka ardhur Kushtrimi, nuk kemi pasur kurrfarë informacioni. As nuk kemi dyshim që ka qenë i varrosur në atë fshat. Faleminderit banorëve të fshatit Domaj që e kanë varrosur..”, tregon ai.
E në identifikimin e trupit të 19 vjeçarit, mori pjesë mjeku i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
“Morëm informacionin se në anën tjetër të liqenit, nga krahu i djathtë, ekziston një varr që quhet “Varri i Kosovarit”, dhe në shkuam për ta vizituar atë vend. Ai kishte qenë një trup që në kohën e luftës, lumi e kishte bartur në Shqipëri”, thotë Gërxhaliu
Bashkë me Vegimin, atë ditë nga kjo shtëpi, ishin rrëmbyer e vrarë edhe 10 burra të tjerë.