Doktori kumanovar Bedri Ramadani është një nga kardiokirurgët e njohur në Gjermani. Si çdo kuadër shqiptar i dekadave të kaluara, 52 vjeçari rrëfen për INA peripecitë dhe sfidat që ka kaluar, por edhe vendosmërinë për tu bërë mjek.
Pas përfundimit të studimeve, shpërngulet në Gjermani, ku po jetonte familja e tij e ngushtë në Duisburg, e cila ka qenë shtylla kryesore e mbështetjes së çdo qëllimi dhe sfide të tij.
Në Gjermani vazhdon përkushtimin në fushën profesionale. Pas një periudhe të specializimesh të njëpasnjëshme, ai sot ka arritur gradat më të larta shkencore në fushën e kardiokirugjisë, duke kryer mbi 6 mijë operacione në zemër.
Bedriu me mësimin e gjuhës dhe kryerjen e provimit shtetëror në Universitetin e Dusseldorfit, punësohet në Klinikën për Kirurgji dhe Traumatilogji në “St.Johannes Hospital” në Duisburg.
Gjatë kësaj kohe nga viti 1999-2018 ai ishte fokusuar me përkushtim në spitalin e zemrës në Duisburg.
Ai rrëfen se shkallët e suksesit i ka ngjitur ngadalë, por të sigurta.
Në vitin 2003 përfundon edhe specializimin në kardiokirurgji. Ky sukses i tij i dëshmuar vlerësohet dhe se i jepen përgjegjësi më të mëdha duke u emëruar si kryeshef i Klinikës për Kardiokirurgji në Herzzentrum Duisburg (tetor 2017-mars 2018).
Pas një periudhe të shkurtër, në prill të 2018 kalon në Klinikën për Kardiokirurgji pranë Universitetit të Dusseldorfit.
Ai tashmë është ndër specialistët e rrallë në kardiokirurgji për ndërhyrjet minimalinvazive të valvulave të zemrës, posaçerisht rekonstrukcioni i valvules mitrale, disektionet( çarja) e aortes, por edhe transplantimet e zemrës, endokarditidi infekcioz dhe shumë ndërhyrje të kombinuara në zemër.
Bedriu është një njeri modest dhe suksesin e tij ia vendos edhe familjes së tij. Megjithatë në thjeshtësinë dhe qetësinë që reflekton kur tregon jetën e tij, dallohet qartë vendosmëria e një njeriu për të përmbushur qëllimin e jetës, të jetë në shërbim të profesionit dhe në ndihmë të njerëzve. (INA)