Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka kritikuar politikat evropiane të emigracionit gjatë një fjalimi të mbajtur në Normandi, me rastin e 82-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke folur në ceremonitë përkujtimore të Ditës D, Hegseth deklaroi se, ndryshe nga 82 vjet më parë kur plazhet evropiane u çliruan nga forcat aleate, sot ato po përballen me atë që ai e cilësoi si “pushtim” nga emigracioni i paligjshëm.
“Fatkeqësisht, sot shumë plazhe evropiane po përballen me ideologji të rrezikshme. Në brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë mbërrijnë vazhdimisht varka me emigrantë. Kur do të veprojnë qeveritë evropiane për t’i dhënë fund këtij pushtimi?”, u shpreh Hegseth.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur emigracioni mbetet një nga temat më të debatueshme në Evropë, me shumë forca politike që kërkojnë politika më të ashpra për kontrollin e kufijve dhe menaxhimin e flukseve migratore.
Administrata e presidentit Donald Trump e ka vendosur luftën kundër emigracionit të paligjshëm në qendër të politikave të saj të brendshme, duke kërkuar fonde shtesë për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sigurisë kufitare.
Deklaratat e Hegseth janë parë si një tjetër kritikë e drejtpërdrejtë e Uashingtonit ndaj politikave të vendeve evropiane.
Një ditë më parë, edhe zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance kishte kritikuar politikat migratore në Evropë, duke i lidhur ato me raste të fundit të kriminalitetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana e saj, qeveria britanike reagoi ndaj deklaratave amerikane, duke theksuar se askush nuk duhet të përdorë ngjarje tragjike për të nxitur përçarje politike apo shoqërore.
Burimi: botasot.info


