Anthony Joshua shpresonte që t’i rikthejë titujt e kampionit të botës në boksin profesionist në Britaninë e Madhe.
Mirëpo, duket se kundërshtari i tij, kampioni aktual i botës, Oleksandr Usyk preferon që rimeçi në mes tyre të zhvillohet jashtë Britanisë së Madhe.
Këtë e ka bërë të ditur promotori i meçit, Eddie Hearn..
Shtatorin e kaluar, Joshua i humbi titujt WBA, IBF, WBO e IBO në peshat e rënda nga ukrainasi, i cili fitoi me vendim të gjyqtarëve.
E tash, kur pritej që rimeçi të zhvillohet në “Tottenham Hotspur Stadium”, gjërat janë më të komplikuara se që dukej.
Arabia Saudite së fundmi ka bërë ofertë për ta pritur këtë event të madh të boksit.
“Ne do të donim që meçi të zhvillohet në Londër, do të ishte një avantazh i madh për Joshuan që të garojë përsëri në Londër. Por, nëse të ardhurat janë dyfish më të mëdha, nuk ka gjasa që Usyk të na lejojë që meçi të mbahet në Londër. Kështu që, duhet ta marrim këtë në konsideratë, për çfarëdo opsioni tjetër”, deklaroi shefi i Matchroom Boxing për Mirror Sport.
“Ne i kemi marrë disa oferta dhe data. Do t’i shikojmë kontratat dhe do të shohim se ku do të zhvillohet meçi. Mendoj se pas dy javësh do dihet gjithçka”, përfundoi Hearn.
Usyk fillimisht iu bashkua luftës në Ukrainë, por më pas e mori lejen nga autoritetet e këtij vendi për t’u larguar nga shteti dhe për t’u përgatitur për meçin e madh ndaj Joshuan, i cili mund të mbahet gjatë verës.