Prishtina në xhiron e 30 në Superligën e Kosovës në futboll do të përballet me Drenicën, në ndeshjen e cila zhvillohet sot nga ora 14:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Të dyja skuadrat pësuan humbje xhiron e shkuar dhe të dyja po luftojnë maksimalisht për të siguruar pikë të plota në këtë takim.
Prishtina ka dy humbje rresht, sikurse Drenica. Prishtina ndodhet e pesta në tabelë me 38 pikë kurse Drenica zë pozitën e shtatë në me 35 pikë, dy më pak se zona e barazhit.
Ndërkohë, Prishtina ka tri pikë më shumë se Drenica dhe renditet e pesta në tabelë.
Prishtina dhe Drenica në këtë edicion janë përballur katër herë. Drenica – Prishtina 2:1, Prishtina – Drenica 1:0 dhe Drenica – Prishtina 0:0, janë rezultatet që janë arritur në kampionat.
Ndërkohë, në Kupën e Kosovës janë sfiduar në fazën e 1/8 ku Prishtina ka arritur fitore me shifrat 2:1.
Për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina, ka folur para ndeshjes me Drenicën, portieri i “bardhekaltërve” që po kalon formë shumë të mirë, Eglant Haxho.
“Vijmë nga dy rezultate negative dhe ekipi ka pasur kohën e duhur për të reflektuar për ndeshjen e radhës, e cila është e vlerësuar maksimalisht. Drenica është ekip që ka bërë mirë këtë sezon dhe gjithmonë ka luajtur mirë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Dihet që Prishtina gjithmonë luan për rezultat maksimal që janë tre pikë. Shpresoj se me angazhimin e duhur do t’i arrijmë pikët e plota për t’u ngritur edhe më shumë në tabelë.
“Plisat” kanë qenë gjithmonë ana jonë e djathtë. Shpresojmë që të vijnë në stadiumin dhe me rikthimin e tyre dhe mbështetjen e tyre të kemi një forcë më shumë në fushën e lojës. Bashkë me tifozët shpresoj se do t’u kthehemi rezultateve pozitive”, thotë Haxho.