Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.
Sipas saj, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.
Në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor, U.D. Presidentja Haxhiu ka pritur dje në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për aspektet organizative të zgjedhjeve.
Ndërkaq, sot ajo është takuar edhe me drejtues dhe përfaqësues të subjekteve politike, ku janë diskutuar dhe dëgjuar propozimet e tyre lidhur me datën e zgjedhjeve, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, ka deklaruar Haxhiu në një konferencë për media.
Ajo ka theksuar se Kosova ka dëshmuar aftësi për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme, gjë që, sipas saj, është konfirmuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
U.D. Presidentja i ka uruar punë të mbarë stafit të KQZ-së, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve dhe integritetit të procesit zgjedhor.
“Jam e bindur se edhe kësaj radhe qytetarët do ta thonë fjalën e tyre me dinjitet, qetësi dhe pjekuri demokratike. Subjekteve politike u uroj sukses në fushatë, ndërsa qytetarëve ushtrim të lirë dhe pa presion të së drejtës së votës”, ka shtuar ajo.
Në fund, Haxhiu ka bërë thirrje për një fushatë zgjedhore korrekte, të përgjegjshme dhe në përputhje me standardet demokratike, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar këto standarde edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Burimi: botasot.info


