Hava Maloku, kosovarja e vetme që punon në LinkedIn

January 2, 2023
min lexim

Hava Maloku është shqiptarja e vetme që punon në rrjetin më të madh profesional në internet – LinkedIn.

Në një intervistë për KALLXO.com, Maloku rrëfen rrugëtimin e saj nga jeta në Kosovë deri në punësimin e saj në këtë platformë.

E lindur dhe rritur në Prishtinë, Maloku pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm, fitoi bursë për studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Maloku është fëmija më i madh nga 6 motra e vëllezër.

“Jam rritur në Bregun e Diellit në Prishtinë. Shkollimin fillor e kam përfunduar në shkollën “Ismail Qemali” ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Xhevdet Doda”. Jam fëmija i madh i një familje të madhe që përbëhet nga 6 fëmijët dhe 2 prindërit që janë me profesion arsimtar të gjuhës dhe letërsisë shqipe”- shtoi ajo.

Maloku ka kryer tre shkallë studimesh në universitete të ndryshme të SHBA-së në degët Biznes e Marketing.

“Pas përfundimit të gjimnazit, në vitin 2003, kam fituar një bursë për studime në“Graceland University” që gjendet në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për tri vite kam përfunduar dy drejtime në fakultet: Marrëdhenie të Biznesit dhe Biznes Internacional me orientim në Teknologji Informative”.

“Masterin në Biznes dhe Administrim (MBA) e kam përfunduar në “University of San Francisco” në vitin 2008 dhe me të përfunduar kam filluar me punë në San Francisco. Doktoraturën e kam përfunduar në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut paralelisht edhe gjatë kohës që kam punuar”- shtoi tutje Maloku.

Fillimi i karrierës deri tek punësimi në LinkedIn

Hava u shpreh se pas përfundimit të studimeve në nivelin Master në vitin 2008 kishte rastisur edhe kriza financiare duke ia ulur kështu mundësitë për punësim.

Si shkak i kësaj, Maloku theksoi se iu desh t’i jap karrierës kahje nga financat në marketing dixhital.

“Periudha pas përfundimit të magjistraturës ,në vitin 2008, fatkeqësisht ka rastisur me krizën financiare që ka ndodhur në SHBA. Miliona njerëz humbën punën dhe shtëpinë. E për mua si studente e huaj mu zvogëluan shumë shancat për punësim, duke marrë parasysh që kompania që do të më punësonte duhej sponzoronte edhe vizën. Kjo ndikoj që unë të ndërroj edhe kahjen e karrierës, nuk vazhdova me financa por e mora punën e parë që më është ofruar e që në këtë rast ka qenë për marketingun dixhital”- u shpreh ajo.

Hava Maloku

Maloku për Kallxo.com tha se në fillim të karrierës ka punuar nëpër disa startups duke arritur kështu gradualisht deri tek LinkedIn.

“Në fillimet e para të karrierës kam punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj kam ndërruar produktin dhe kam vazhduar të punoj për “Expedia”, që eshtë një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë. Kam punuar edhe për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe se fundi në “LinkedIn”.

Maloku tha se për të arritur deri tek LinkedIn është dashur punë dhe përvojë e madhe, duke konsideruar se ka qenë edhe me fat.

“Për të arritur deri këtu është dashtë një punë e përvojë e madhe. Kur kam aplikuar kam pasë një përvojë të gjerë në fushën e marketingut dhe një shkollim të duhur. Dihet që punësimi në LinkedIn nuk është i lehtë, duhet të kalojmë nëpër shumë intervista, deri në dhjetë prej tyre. Por mendoj që është edhe pak fat se shumë e shumë njerëz të kualifikuar aplikojnë në çdo moment e nuk përzgjidhen për intervistë. Ndonjëherë për një rol të vetëm numri i aplikuesve shkon në mbi 1500 persona. E kuptohet që shumica prej tyre janë të aftë dhe të suksesshëm. Nganjëherë ndodhemi në vend të duhur dhe në kohë të duhur- shtoi ajo.

Puna që kryen në LinkedIn

Maloku tutje thotë se në LinkedIn menaxhon marketingun online përmes emailit dhe web faqeve për LinkedIn Premium.

Ajo shtoi se roli që mban ka përgjegjësi të madhe, ku për një javë ka dërguar mbi 130 milionë emaila antarëve.

“Unë menagjoj produktin më të madh në LinkedIn, LinkedIn Premium.  Me fjalë tjera e menagjoj marketingun online përmes emailit dhe web faqeve për Linkedin Premium. Premium është një produkt me pagesë që i shtohet profilit dhe si rezultat anëtari me Premium ka qasje në LinkedIn Learning ku mund të ndjekë klasa online duke marre parasysh librarinë prej me shumë se 16,000 klasa”.

“Roli që kam ka përgjegjësi të madhe, vetëm në një javë kam dërguar mbi 130 milion emaila anëtarëve. Që do të thotë se kujdesi duhet të jetë maksimal që gjithçka të jetë korrekte se ndikon në tërë imazhin e kompanisë”- shtoi Maloku.

Ajo shtoi se për momentin nuk ka shqiptarë tjerë që punojnë në këtë platformë, por që kjo gjë mund të ndërrojë çdo moment.

“Me sa e di unë nuk ka shqiptarë tjerë që punojnë ne LinkedIn për momentin. Por besoj që kjo mund të ndryshoj në çdo moment pasi që janë mbi 21,000 punëtorë në LinkedIn dhe është duke u rritur dita ditës”- theksoi ajo.

Lidhur me gjithë njohuritë dhe sukseset në fushën e marketingut, Maloku nuk ka marr ndonjë ftesë për kontribut nga ana e institucioneve të Kosovës.

Ajo potencoi se në takimin që kanë pasur me kryeministrin Kurti gjatë vizitës në San Francisco është folur për angazhim të diasporës në Kosovë përmes projekteve disa mujore.

“Nuk kam pasur ndonjë ftesë konkrete nga institucionet e Kosovës edhe pse unë veproj në fushën e marketingut digjital që prej vitit 2008. Në takimin e fundit që kemi pasur me kryeministrin e Kosovës dhe kabinetin e tij gjatë vizitës së tij disa ditore në San Francisco është cekur se janë duke punuar në angazhimin e diasporës për kontribut në Kosovë si në projekte afatshkurta disa mujore gjatë verës ose edhe afatgjatë në mënyrë virtuale por ende skam marrë ndonjë ftesë konkrete”- u shpreh Maloku.

Mesazhi për vajzat e reja në Kosovë

Me gjithë suksesin që ka arritur Hava Maloku nga jeta në Kosovë e deri tani në San Francisko të SHBA-së, ajo ka një mesazh për të gjithë vajzat e reja në Kosovë që të besojnë në veten e tyre.

Ajo shtoi se vetëbesimi është gjëja më e rëndësishme që një vajzë mund të ketë.

“Mesazhi im për vajzat e reja është të besoni në veten tuaj. Mos e lejoni dikë tjetër t’ju tregoj se kush jeni ose çfarë mund të arrini. Ju jeni përgjegjëse për lumturinë tuaj dhe të mos e lejoni askënd t’ua heq atë. Asnjëherë mos i dorëzoni ëndrrat tuaja në kufizimet që të tjerët kanë vendosur në jetën e tyre. Vetëbesimi është një nga gjërat më të rëndësishme që një vajzë mund të ketë. Kur besoni në veten tuaj, kjo shfaqet në gjithçka që bëni. Andaj mbani kokën lartë dhe punoni, se në këtë botë gjithçka arrihet me punë dhe vetëbesim”- ka deklaruar Maloku.

/Kallxo

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Indianët, turqit e palestinezët të interesuar për të punuar në Shqipëri – derisa shqiptarët vazhdojnë të ikin nga vendi

Story i radhës

Bleron Baraliu aplikon për pasaportë amerikane me lot në sy, thotë se u dorëzua dhe shan dikë

Të fundit nga

ShkoLartë