Ish-deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, ka folur për protestën e thirrur për nesër nga studentët serbë.
Ai tha se ky është një organizim i madh gjith-shtetëror dhe sipas tij, studentët e kanë planifikuar datën 15 për shkak të 15 viktimave që vdiqën në stacionin e trenit në Novi Sad, teksa shtoi se numri i protestuesve nesër pritet të jetë afro 1 milion.
“Ky është një organizim i madh gjith-shtetëror dhe studentët e kanë planifikuar që për shkak të 15 viktimave, protesta të mbahet me 15 mars dhe kjo nesër do të japë rezultate për shkak se është punuar mjaft nga të gjitha anët. studentët, fakultetet, universitetet, sektori privat dhe organizatat joqeveritare”.
“Beogradi po mbushet që nga mëngjesi i sotëm dhe të gjitha rrugët gati janë mbushur dhe sonte prapë do të kemi ardhje të tjera por edhe në mëngjes do të ketë ardhje nga të gjitha vendet dhe kështu do të realizohet një protestë masive me qindra, mijëra protestues ku ata kanë planifikuar se do të jenë afro 1 milion protestues”, tha Hasani në Edicionin Special.
Më tej, Hasani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka filluar dhunën dhe burgosjen masive të aktivistëve të këtyre protestave, ndërsa tha se synimet e protestuesve nesër janë që ta bllokojnë kryeqendrën serbe dhe t’i marrin nën kontroll institucionet qeveritare, kuvendin dhe presidencën.
“Është një moment shumë kritik dhe një rrezik shumë i madh që mund të eskalojë situata, pasi disa grupe të përkrahësve të Vuciqit kanë grumbulluar thasë me gurë dhe janë përkrahësit e Vuciqit nga Kosova”, tha ai.
Burimi: botasot.info