Harris dhe Trump japin argumentet përfundimtare në fushatën zgjedhore

October 30, 2024
min lexim

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e kritikoi ish-presidentin Donald Trump si njeri të paqëndrueshëm dhe të fiksuar pas hakmarrjes, gjatë një tubimi zgjedhor në vendin afër Shtëpisë së Bardhë ku, më 6 janar 2021, Trump iu drejtua mbështetësve të vet para se ata ta sulmonin Kapitolin.

Duke folur në Uashington më 29 tetor, një javë para ditës së zgjedhjeve presidenciale, Harris, kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit, e dha atë që fushata e saj e quajti “mesazh përmbyllës” në një skenë të mbushur me shenja të mëdha ngjyrë qielli, me mbishkrimin “Liri”.

Harrisi u zotua se do të jetë “presidente për krejt amerikanët”, ndërsa e quajti kundërshtarin e vet republikan “të paqëndrueshëm, të fiksuar pas hakmarrjes dhe të pakontrollueshëm”.

Organizatorët thanë se rreth 75.000 njerëz morën pjesë në tubim, edhe pse ky numër nuk u verifikua nga policia apo vëzhguesit e pavarur.

Disa mbështetës të Harrisit kishin pritur në radhë për më shumë se shtatë orë për ta dëgjuar fjalimin e saj në parkun ku Trumpi kishte folur para se një grup nga turma ta sulmonte Kapitolin në përpjekje për ta penguar certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ish-presidenti dhe aleatët e tij janë përpjekur ta mohojnë dhunën e 6 janarit.

Para fjalimit të Harrisit, Trumpi dhe fushata e tij u përpoqën t’i kufizojnë dëmet, duke e mohuar një shaka denigruese për Porto Rikon që e kishte bërë një komedian në skenë para se Trumpi të paraqitej në një tubim në Nju Jork gjatë fundjavës. Disa prej aleatëve të Trumpit e dënuan atë shaka, e cila iu referua territorit amerikan si “një ishull plehrash”.

Derisa fushata e tij tha se ajo shaka nuk pasqyron pikëpamjet e ish-presidentit, Trumpi e mbrojti atë gjatë tubimit, ku kishte edhe deklarata të tjera raciste dhe vulgare.

Duke folur në resortin e tij Mar-a-Lago në Floridë, Trump tha se “kurrë nuk ka pasur ngjarje kaq të bukur” si tubimi në Madison Square Garden në Manhatan.

“Dashuria në atë dhomë të lë pa frymë. Ishte sikur një festival dashurie. Kisha nderin që u ftova”, tha ai.

Trump nguli këmbë se Harrisi është ajo që ka përhapur urrejtje dhe përçarje, duke thënë se ajo ka kryer “një fushatë urrejtjeje”.

Mbrëmjen e 29 tetorit, Trumpi e mbajti një ngjarje në Allentovn, Pensilvani, një qytet i cili ka një komunitet të madh portorikan. Pensilvania është ndër shtatë shtetet e luhatshme që pritet të jenë vendimtare në këto zgjedhje.

Banorët e Porto Rikos nuk votojnë për president, por gati 6 milionë njerëz nga ishulli i Karaibeve, të cilët kanë emigruar dhe tani jetojnë në SHBA, votojnë.

Më shumë se 50 milionë njerëz kanë hedhur tashmë votat e tyre para kohe, ose me postë, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet tregojnë se gara do të jetë jashtëzakonisht e ngushtë.

Harris, 60-vjeçare, do të bëhej presidentja e parë grua, ndërsa Trump, 78 vjeç, do të bëhej kandidati më i moshuar që zgjidhet president. Të dy dallojnë në një sërë çështjesh, nga mbështetja për Ukrainën dhe aleancën ushtarake të NATO-s, deri te emigracioni, të drejtat e abortit dhe taksat mbi të pasurit.

Një sondazh nga Reuters/Ipsos më 29 tetor tregoi se epërsia e Harris kishte rënë në vetëm 44 për qind, krahasuar me 43 për qind për Trump ndër votuesit e regjistruar.

Trump ka lënë të kuptohet vazhdimisht se mund përsëri të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve, nëse humb.

Këto komente, të kombinuara me dy përpjekje për atentat ndaj ish-presidentit, kanë ngritur shqetësime për dhunë të mundshme dhe kaos pas zgjedhjeve./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kreu i KGJK-së tregon se a ka dështuar procesi i Vettingut në Kosovë

Story i radhës

E shohim 24/7 në BBVK3, por kush është modelja ‘Lela’ nga Drenasi?

Të fundit nga

ShkoLartë