Revista prestigjioze amerikane “Harper’s Bazaar” ka shkruar për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë, duke e vendosur Kosovën në vëmendjen e lexuesve të saj ndërkombëtarë dhe duke i kushtuar një artikull Dua Lipës dhe paraqitjeve të saj gjatë festivalit.
Në artikullin e publikuar më 4 gusht, revista shkruan se Dua Lipa solli industrinë e muzikës në Prishtinë për festivalin disaditor, ndërsa këngëtaren shqiptare e quan “mbretëresha e Sunny Hill Festival”.
“Harper’s Bazaar” ka veçuar stilin e Dua Lipës gjatë netëve të festivalit, duke shkruar se ajo zgjodhi veshje që e çuan stilin tipik të festivaleve në një nivel tjetër.
Sipas revistës, në natën e parë, Dua Lipa iu bashkua turmës për ta përjetuar energjinë e festivalit dhe performancën e Katy Perryt, e veshur me një minifustan metalik të markës “Rabanne”, të punuar tërësisht nga rrjeta metalike.
Revista shkruan se fustani pa mëngë kishte një fund shumë të shkurtër, të zbukuruar me elemente lulesh tredimensionale, ndërsa këngëtarja e kishte kombinuar me çizme të zeza prej lëkure.
Në ditën pasuese, sipas “Harper’s Bazaar”, Lipa zgjodhi një stil më bohem, duke veshur një kostum të shkurtër të bardhë prej dantelle të markës “Chloé”, me supe të zbuluara dhe me një rrip të zi. Gjatë mbrëmjes, ajo e kombinoi veshjen me një xhaketë të kuqe dhe festoi së bashku me familjen e saj.
Në artikull, revista i kushton vëmendje edhe lidhjes së Dua Lipës dhe familjes së saj me Kosovën, duke përmendur se festivali “Sunny Hill” u themelua në vitin 2018 nga këngëtarja dhe prindërit e saj.
“Harper’s Bazaar” kujton se prindërit e Dua Lipës emigruan nga Kosova në Londër gjatë viteve ’90 dhe u kthyen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Revista shkruan se Lipa ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar, por një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Prishtinë. Ajo përmend edhe marrjen e shtetësisë së Kosovës dhe mesazhin emocional që këngëtarja kishte publikuar pas paraqitjes së saj në festival.
“Ta ndaja këtë natë me të gjithë ju, në qytetin që më formësoi, e rrethuar nga kaq shumë energji, gëzim dhe krenari… është e vështirë të përshkruhet me fjalë se çfarë do të thotë kjo”, kishte shkruar Dua Lipa.
Burimi: botasot.info


