Ish-ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj, deklaroi se shqiptarët asnjëherë në mijëvjeçarin e fundit nuk kanë qenë më të lirë e më të pavarur, dhe se ky është moment krenarie.
Mirëpo, sipas saj do të duhej të jetë edhe një moment reflektimi për shqiptarët e Luginës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut, dhe se këto do të duhej të ishin tema preokupimi.
“Sot shqiptarët e Luginës janë pa përkujdesje kombëtare, ndonëse Shqipëria e ka në kushtetutën e saj, edhe në preambulë e ka bashkimi kombëtar si vlerë e si frymë orientuese kushtetuese, por edhe në nenin 8 e ka obligim kushtetues përkujdesjen e popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, e ne sot nuk e shohim një gjë të tillë”.
“Pra, për Kosovën kjo do të përkthehej në një qëndrim të koordinuar në raport me Serbinë, gjë që qeveria aktuale e Shqipërisë sot nuk e bën, e po ashtu në raport me shqiptarët e Luginës specifikisht do të duhej që të kishte një përkujdesje, një mbrojte, një amplifikim të zërit dhe padrejtësive që u ndodhin atyre përditë në raportet bilaterale Serbi-Shqipëri. Nuk e shohim një gjë të tillë”.
“Madje kjo do ta ndihmonte edhe Kosovën sepse nëse Shqipëria është e zëshme në etablimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, do ta dobësonte qëllimin nacionalist serbo-madh që Serbia e ka në Kosovë përmes kërkesës së një asociacioni të pretenduar. Pra, sa më të fortë janë shqiptarët në Luginë, shqiptarët në Serbi, aq më i dobët do të jetë pretendimi serb në Kosovë. Dhe unë kam përshtypjen që kryeministri Rama specifikisht nuk e kupton dhe prandaj edhe nuk e bën”, deklaroi Haradinaj në emisionin Rubikon.
Burimi: botasot.info