Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për gjendjen e krijuar në vend, ku ndaj Kosovës vazhdojnë masa ndëshkuese nga aleatët ndërkombëtar.
Pas tryezës së diskutimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, Haradinaj ka thënë se do të vazhdojnë dialogun e brendshëm, sipas tij, për ta rikthyer Kosovën në normalitet.
Haradinaj: Po vazhdojmë dialogun e brendshëm para një situate kur Kosova është e sanksionuar
“Po vazhdojmë edhe dialogun e brendshëm. Para pak ditësh kemi zhvilluar një tryezë me sindikatat e Kosovës në sektorin publik. Sot kemi pas një takim mjaft të mirë me shoqërinë civile dhe mediat… Ishte një konkluzion i këtij takimi se nuk duhet të heshtim para një situate që kemi në vend. Para një situate kur Kosova është e sanksionuar nga mbështetësit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne do të vazhdojmë me punë edhe të ardhmen me sektorë të tjerë që të dalin nga kjo gjendje dhe bllokadë që ka vendi”, ka thënë ai.
Duke e cilësuar takimin si produktiv, Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria të koordinohet me mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës për rrugëtim drejt NATO-s dhe ecjen përpara në dialog me Serbinë.
Haradinaj: Jemi të shqetësuar se s’ka siguri juridike në Kosovë
“Shqetësim i madh se s’ka juridike sot. Qoftë për individin, organizatat përshirë edhe mediat, siç është rasti i Klan Kosovës për të cilin shprehi mospajtim jo veç si parti politike, por si qytetar që me u mbyll një medie. Ishte kërkesa që opozita të bashkëpunojë më shumë ndërmjet veti, me shoqërinë civile dhe mos të heshtin dhe të përballemi me gjendjen e krijuar. Ishte një dëshirë me rikthy Kosovën në normalitet, po flas me aleatët tonë dhe rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Po ashtu edhe një normalitet në rajon me ecjen përpara me rezultatet e dialogut”, ka shtuar Haradinaj.
Takimi i Haradinajt me shoqërinë civile dhe mediat është mbajtur i mbyllur për media, përveç fjalës hyrëse të tij, ku ka thënë se kryeministri Kurti po i ikë përgjegjësisë që ka marrë nga qytetarët.
Takime të ngjashme me shoqërinë civile dhe mediat ka mbajtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.