Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës në luftimin e dhunës dhe krimit, duke thënë se sukseset e organeve të rendit në zbardhjen e rasteve kriminale rrisin kredibilitetin tek institucionet tona të sigurisë.
Ai në një postim në Facebook ka falënderuar Policinë e Kosovës, hetuesinë dhe prokurorinë për zbardhjen e shpejtë akteve të fundit kriminale sikurse ishin grabitja e një argjendarie në Suharekë dhe vrasja e një gruaje në Sinidoll të Prishtinës.
“Sukseset e organeve të rendit në zbardhjen e rasteve kriminale, sikurse rasti i grabitjes së argjendarisë në Suharekë, vrasja e vjehrrit nga dhëndri i tij e së fundi rasti i vrasjes së Liridona Murselit, e nderojnë Kosovën dhe rrisin kredibilitetin tek institucionet tona të sigurisë. Falënderues ndaj Policisë së Kosovës, hetuesve dhe Prokurorisë për zbardhjen e shpejtë të këtyre akteve kriminale”, ka shkruar Haradinaj.
“Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre. Lutemi shumë që të tilla raste mos të ndodhin më asnjëherë”, ka shtuar ai.