Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, deklaroi se ka një tendencë për prolongim të procesit të formimit të institucioneve të vendit.
“Është e paqartë tani nëse Vetëvendosja e ka dërguar vendimin në Gjykatën Supreme, në Gjykatën Kushtetuese a ka filluar realisht edhe rrjedhja e afatit prej 30 ditësh, sepse dihet tani që Gjykata Kushtetuese i ka deri ne pesë ditë për të dhënë një verdikt, mirëpo gjithë kjo periudhë është e paprecedentë në skenën politike në Kosovë, ku ende nuk kemi një rezultat te certifikuar të qartë zgjedhor”.
“Shihet që ka një papërgjegjësi, neglizhencë e mosgatishmëri të të gjitha partive politike që të përkthejnë rezultatin zgjedhor, që të përkthejnë vullnetin që ua ka transferuar populli përmes votave, dhe kjo shihet posaçërisht te Lëvizja Vetëvendosje, e cila mundohet që për një deputet ta prolongojë e ta mbajë peng gjithë procesin e fillimit dhe formimit të institucioneve, në një kohë kur Kosova i ka ditët e numëruara që të fillojë punën sa më shpejt me institucionet e reja, që të rigjejë veten në skenën e re, në peizazhin gjeopolitik, ku po ndodhin çdo ditë ndryshime”, deklaroi Haradinaj në emisionin Rubikon.
Tutje ajo shtoi se e thotë për të gjitha partitë që ka neglizhencë, papërgjegjësi dhe mosgatishmëri për të marrë përgjegjësinë, dhe se kjo është për keqardhje.
Burimi: botasot.info