Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se sektori i buqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar pasi që ky sektorë krijon zhvillim ekonomik, vende të reja pune, është ndërmarrësi strategjike ekonomike dhe angazhim jashtë kryeqytetit e zona urbane.
Në tryezën e organizuar nga Grupit Parlamentar i AAK-së me temën “Zhvillimi ekonomik përmes bujqësisë”, Haradinaj ka thënë se bujqësia shihet si katalizatori i zhvillimit kombëtar, dhe kjo do të reflektohet në prioritetet tona.
“Zhvilluam një diskutim të frytshëm në tryezën e sotme të Grupit Parlamentar të AAK-së, me fokus të veçantë për rolin e bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Shpalosëm vizionin e Aleancës për një zhvillim të qëndrueshëm agrar, me përmirësim të produktivitetit në bujqësi, përmes politikave të duhura bujqësore. Për Aleancën, Bujqësia shihet si katalizatori i zhvillimit kombëtar, dhe kjo do të reflektohet në prioritetet tona”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se sektori i buqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar.
“Politikat në sektorin e bujqësisë nuk janë fikse, ato janë relative pasi që varen nga shumë faktorë të cilët duhen marrë parasysh në procesin e financimit përmes subvencioneve. Sektori i buqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar pasi që ky sektorë krijon zhvillim ekonomik, vende të reja pune, është ndërmarrësi strategjike ekonomike dhe angazhim jashtë kryeqytetit e zona urbane. Riorganizimi i Buxhetit është parakusht i suksesit”, ka përfunduar Haradinaj.