Banorët e fshatit Rashincë të Komunës së Shtimes prej disa muajve po e kundërshtojnë një projekt të ekzekutivit për hapjen e puseve të reja të ujit në këtë fshat e, që kanë për qëllim furnizimin e qytetit dhe fshatrave të tjera. Sipas banorëve ekzekutivi i komunës pa i pyetur banorët ka nisur hapjen e puseve të reja, ndërkohë vetë banorët e këtij fshati përballen me mungesë të ujit.
Sipas banorëve është e padrejtë që puset të hapen në lokalitetin e tyre dhe uji të bartet me sistem të pompimit për qytet dhe fshatra të tjera.
Rreth kësaj çështje, banorët kanë adresuar ankesa në komunë, ndërkohë kanë organizuar edhe protesta duke i ndaluar punimet, por pa sukses.
Banorët kanë thënë se janë të vendosur që mos ta lejojnë hapjen e puseve të reja me qëllim që uji të shkoi për lokalitete të tjera. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera, nëse ekzekutivi nuk i shqyrton ankesat e tyre.
Ndërkohë, banorët kanë ndaluar punimet dhe kanë larguar edhe gypat e ujësjellësit, andaj kjo ka bërë që edhe Policia e Kosovës të dalë në vendin e ngjarjes.
Telegrafi ka kontaktuar me ish kryetarin e këtij fshati , Isuf Lami. Ai ka thënë se banorët po e kundërshtojnë projektin e ekzekutivit me arsyetim se banorët kanë nevojë që ky projekt të realizohet për vetë ata dhe në asnjë mënyrë të furnizohet qyteti dhe fshatrat tjera.
“Ne nuk jemi kundër nëse fshati jonë për nevoja personale ka ujë të mjaftueshëm, por duhet të merret pëlqimi i banorëve për ta realizuar një projekt të tillë. Unë si qytetar i fshatit kërkoj nga institucionet që t’i shqyrtojnë kërkesat tona. Në fshatin tonë po hapen këto puse me qellim që të furnizohet qyteti i Shtimes dhe fshatrat tjera. Komuna nuk ka dhënë informacione se çka kanë për qëllim të bëjnë me këtë projekt, prandaj ka pasur edhe tubime të kryesisë së fshatit por edhe protesta në të cilat unë si ish kryetar i fshatit nuk kam pasur mundësi të marrë pjesë”, ka thënë Lami.
Lami edhe njëherë ka kërkuar nga ekzekutivi i komunës që t’i shqyrtoi kërkesat e banorëve me arsyetim se fshati ka nevojë për furnizim të rregullt të ujit.
“Komuna duhet të merret vesh me banorët e jo me ardhur në fshatin tonë me nis projekte pa pëlqimin tonë. Le ta furnizon fshatin tonë me ujë të mjaftueshëm e pastaj ne nuk jemi kundër që pjesën tjetër të ujit le ta bartë edhe për qytet por edhe për fshatra të tjera”, ka thënë më tej Lami.
Ndërkohë, kryesia e këtij fshati, ditë më parë kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët dhe kanë kërkuar që të jenë të bashkuar për të organizuar protesta e për të marrë vendime të përbashkëta.
“Në mbledhjen e sotme,ku morën pjesë një numër i madh banorësh,u shprehën shqetësime serioze për burimet që po hapen pa pëlqimin e fshatit, ku ka krijuar pakënaqësi te banorët. Pas diskutimeve,u mor një vendim që do të informohen të gjithë banorët së shpejti”, thuhet në një njoftim të kryesisë së fshatit Rashincë.
Ndërkaq në një njoftim tjetër të banorëve të këtij fshati thuhet se Kryetari i Komunës Qemajl Aliu, ka vizituar puset e ujit që janë duke u hapur në fshatin Rashincë pa pëlqimin e banorëve.
“Këto puse po hapen pa miratimin dhe pa u konsultuar me banorët e fshatit, andaj ka shkaktuar pakënaqësi. Banorët janë të shqetësuar për mënyrën e realizimit të këtij projekti dhe mungesën e transparencës, pasi është një muaj që presim një dëgjim publik, por duket se nuk ka interes nga ana e kryetarit për të mbajtur një takim”,thuhet midis të tjerash në njoftim.
Burimi: botasot.info