Nga Gjermania, shoqata humanitare “Prishtina” ndërmjetëson hapjen e bunarëve me ujë të pijshëm nëpër vendet e varfra si Azi e Afrikë. Kiksi kontaktoi përfaqësuesin e kësaj shoqate, Mehdi Meka, kontaktin e të cilit e mori përmes rrjetit social Instagram.
Meka e dërgoi çdo ofertë dhe video që dëshmojnë hapjen e tyre në WhatsApp.
Ofertat e organizatës “Prishtina” kanë çmime të ndryshme nga 180 euro për një çezme deri te 250 e 300 euro me dy e tri çezme.
500 euro me 10 çezme dhe 850 euro avdeshane me kapacitet për një fshat të furnizimit me ujë.
Mirëpo, kur Kiksi i tregoi se arsyeja pse po flasim nuk është blerja e njërës nga këto pako, por hulumtimi i kësaj teme, Meka ndryshoi qasje.Përderisa ne ishim vetëm një klient tjetër për Mekën, ai u tregua i hapur në ofrimin e çmimeve dhe shpjegimeve të kërkuara për veprimtarinë e tij, ndërsa në cilësinë e gazetarit, Meka refuzoi të japë përgjigjet e kërkuara, duke e mbyllur telefonin.
Një tjetër organizatë, e cila kryen shërbimet e njëjta është “Agimi i Bamirësisë” në Tetovë.
Jeton Xheladini, përfaqësues i kësaj organizate, në një intervistë për Kiksin, pohoi se mund të ketë edhe të tillë që mashtrojnë me hapjen e bunarëve.
Çmimet e “Agimit të Bamirësisë” dallojnë nga ato të organizatës “Prishtina”, ku çmim fillestar kishim vlerën prej 180 eurosh.
Dëshmia e vetme që bunarët janë hapur dhe uji i pijshëm buron aty janë fotot dhe videot, të cilat i dërgohen organizatës nga bashkëpunëtorët e tyre atje.
Xheladini thotë se asnjëherë nuk ka bërë vizitë në ndonjë prej vendeve, për të cilat ka ndërmjetësuar hapjen e bunarëve.