Mbrëmjen e së premtes është hapur shkolla e mesme e lartë e mjekësisë “Imperium” Në ceremoni u tha se për tri vitet e ardhshme do të përgatiten infermierë, teknikë laborantë, teknikë dentarë e teknikë të farmacisë.
“Imperium” ofron kushte shumë të mira me një infrastrukturë moderne, e kompletuar me klasa moderne, software online për nxënës dhe prindër, salla të informatikës, laboratorë për praktikë, bibliotekë, palestër, bufe e të tjera.
Ideatori i kësaj shkolle, Eqrem Gara tha se e njëjta ka themele të forta, me qëllim të formimit të brezave të artë.
Gara: Ne do të mbështesim ëndrrat e fëmijëve
“Si baba i tre fëmijëve e kuptoj shumë mirë rëndësinë e edukimit, shkollimit, punësimit. Kur e kemi nisur idenë, si familje e kemi filluar gjithmonë pyetjet: Çka është më e mira për fëmijën tim? Çdo fëmijë i cili vjen këtu për të ndërtuar ëndrrën e vet, ne do të jemi ata të cilët do të jemi prapa tyre, duke ofruar mbështetje të mëdha”, u shpreh ai.
Drejtori i shkollës “Imperium”, Egzon Ratkoceri në hapje të shkollës u shpreh se po nis një udhëtim me prioritet të arsimimit profesional.
Retkoceri: Nga kjo shkollë do të dalin gjenerata të arta
“Nga kjo shkollë që sot po inaugurojmë, do të mundësojë që brenda tri viteve të ofrojmë gjenerata të arta të infermierëve, teknikë laborantëve e farmacistëve. Tani në shekullin 21, në vitin 2022 është shumë e vështirë që të edukojmë fëmijët tanë. Po ju jap fjalën që kjo shkollë do të jetë vend i sigurt, kujdes maksimal dhe informim në kohë tek prindërit. Çdo brengë e nxënësve do të jetë brengë më e madhe për mua”, ka thënë Ratkoceri.
Këshilltari për arsim i Përparim Ramës, kryetari i Prishtinës, Ajet Brajshori deklaroi se arsimi i shëndosh garanton shëndetësi të mirë.
Brajshori: Arsimi i shëndosh garanton shëndetësi të mirë
“Keni kontribuar në edukimin dhe arsimimin e brezave. Në emër të kryetarit të kryeqytetit dhe kabinetit të tij, i uroj këtij tempulli sukseset më të mëdha, më të dëshiruara. Arsimi i shëndosh garanton shtet të shëndosh, arsimi i shëndosh garanton shëndetësi të mirë”, ka thënë ai.
Shkolla mjekësore “Imperium” ndodhet në Bërnicë të Prishtinës. Po ashtu ka marrëveshje për punësim me Spitalin Amerikan, laboratorin “Avicena” dhe barnatoren “Aris”