Sot u inaugurua Qendra moderne e Shkollës së Mesme në Lapllasellë, një investimprej mbi 2.7 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian e që do të mbledhë në një vend disa shkolla të mesme të cilat ishin të ndara me objekte duke zgjdihur kështu problemin e hapësirës për nxënësit e shkollave të mesme të Graçanicës.
Në ceremoni mori pjesë edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili zyrtarisht ia dorëzoi objektin kryetares së komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq. Vendimin për ndërtimin e Qendrës së Shkollës së Mesme e ka marrë Kuvendi Komunal i Graçanicës 11 vite më parë. Puna filloi në vitin 2017, dhe ndërtesa zyrtarisht ishte menduar të bëhej funksionale në vitin 2019.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shpjegoi se në dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, punimet në qendrën shkollore kanë qenë të ngadalta.
Ai shtoi se, prapë është i lumtur që komunës së Graçanicës t’ia dorëzojë një objekt modern dhe funksional dhe shpreson që mësimdhënësit dhe nxënësit ta shfrytëzojnë objektin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Szunyog: Të gjithë kanë të drejtë për arsim cilësor
“BE ka mbështetur qendrat arsimore shkollore në të kaluarën dhe do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë, gjë që është në përputhje me agjendën e Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se të gjithë njerëzit kanë të drejtën themelore për arsim cilësor, pavarësisht nga përkatësia etnike. Jemi të bindur se punonjësit në këtë objekt do të bëjnë të gjitha përpjekjet që të gjithë nxënësve që do të ndjekin mësimet këtu t’u sigurojnë arsimin më të mirë të mundshëm”, tha Szunyog.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, tha se sot ishte një ditë e shumëpritur dhe e rëndësishme si për komunën ashtu edhe për arsimin cilësor parauniversitar të të rinjve në këtë zonë.
Shubariq: Investim i një rëndësie të veçantë
“Në emër të qytetarëve të komunës së Graçanicës, falënderoj zotin Szunyog dhe kontributin që ka dhënë Bashkimi Evropian në ndërtimin e kësaj qendre madhështore. Ky është një investim i një rëndësie thelbësore për arsimin, i cili është baza e çdo shoqërie të zhvilluar”, tha Shubariq.
Në objektin e Qendrës së Shkollës së Mesme do të vendosen disa shkolla të mesme të cilat pas shpërnguljes nga Prishtina në vitin 1999, vazhduan të funksionojnë në disa shkolla fillore në komunën e Graçanicës. Këtu do të vendosen Shkolla Ekonomike me 192 nxënës, Shkolla e Mjekësisë me 384 dhe Gjimnazi me 312 nxënës, të cilat janë vendosur në Graçanicë, Gushtericë e Poshtme, Plemetin, dhe Llapllasellë.
Qendra e shkollës së mesme është një hapësirë funksionale, moderne me shumë qëllime për mësim, mësimdhënie, aktivitete jashtëshkollore dhe sportive. Krahas klasave moderne dhe të bollshme, sallës sportive dhe fushës sportive në oborr, qendra ka një numër të madh kabinetesh të pajisura në mënyrë moderne dhe laboratorë për mësimdhënie.
Komuna e Graçanicës ka ndihmuar në pajisjen e shkollës me inventarin e nevojshëm, dhe siç u tha, vendosja e shkollave do të bëhet në koordinim me Drejtorinë e Arsimit pranë vetëqeverisjes lokale.