Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka reaguar pas mesazheve të fundit të publikuara në medie, mes Dejona Mihalit e Nagip Krasniqi.
Haliti thotë se po luhet me të ardhmen e vendit, teksa shton se biseda Mihali-Krasniqi është shuplakë për qytetarët.
“Po luhet me të ardhmen e këtij vendit! Biseda mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit është një shuplakë për qytetarët dhe një tjetër shembull se si çështje të rëndësishme diskutohet prapa dyerve të mbyllura. Çfarë po fshihet nga publiku? Qytetarët meritojnë më shumë transparencë, jo marrëveshje të fshehta që ndikojnë të ardhmen e vendit”, tha Haliti.
Biseda e fundit që qarkulloi në rrjet, shihet qartë se Dejona Mihali është ajo që vendoste se kur ka reduktime të energjisë elektrike, ose jo.
E, për këtë Haliti tha se kjo është një formë kontrolli që shkel të drejtat tona themelore.
“Nuk mundet një individ apo një grup i vogël të ketë fuqinë të vendosë kur ndalet rryma, kur ne jemi ata që përballojmë koston dhe pasojat. Kjo është një formë kontrolli që shkel të drejtat tona themelore!”, tha Haliti.
“Zemërimi ynë është i ligjshëm, sepse kemi të drejtë të kërkojmë llogaridhënie për çdo marrëveshje që prek jetët e qytetarëve”, përfundon Haliti.
BURIMI: Bota Sot