Një degë e Kishës ortodokse të Ukrainës me qendër në Kiev pohoi se do t’i lejojë dioqezat e saj t’i festojnë Krishtlindjet në 25 dhjetor, në vend të 7 janarit, siç është tradicionale në kongregacionet ortodokse.
Njoftimi i papritur, një sfidë ndryshe që i bëhet ndikimit të Moskës, i zgjeron akoma edhe më shumë ndasitë e krijuara me Kishën Ortodokse Ruse dhe besimtarëve të tjerë ortodoksë, të cilat edhe kështu ishin thelluar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Vendimi erdhi pasi u morën parasysh kërkesat e shumta dhe diskutimi që po zhvillohet prej shumë vitesh në Kishë dhe në shoqëri dhe duke parashikuar, veçanërisht për shkak të rrethanave të luftës, përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve kalendarike në hapësirën publike” thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse ukrainase.
Çdo dioqezë tani do të ketë mundësinë të festojë më 25 dhjetor, datën që shënon lindjen e Jezu Krishtit sipas kalendarit Gregorian, në vend të 7 janarit, që shënon lindjen e tij sipas kalendarit Julian, i përdorur ende nga Kisha Ortodokse Ruse. Vitet e fundit, një pjesë e madhe e komunitetit ortodoks në Ukrainë është larguar nga Moska, një lëvizje kjo që mori hov sidomos pas konfliktit që Moska ndezi në Ukrainën lindore që në 2014-tën.
Skizma u thellua edhe më shumë në 2018-tën, pasi Patriarku Bartolomeu I i Kostandinopojës – një klerik grek që konsiderohet udhëheqësi shpirtëror i besimtarëve ortodoksë në mbarë botën – miratoi themelimin e një kishe ortodokse të pavarur të Ukrainës dhe revokoi marrëveshjen shekullore që i jepte Patriarkut në Moskë autoritet mbi kishat në vend. Patriarkana e Moskës, e lidhur ngushtë me shtetin rus dhe presidentin rus Vladimir Putin, u përgjigj duke ndërprerë lidhjet me Bartolomeun.