Guximi dhe zhgënjimi në samitin e BE

min lexim

Zgjerimi i BE ka marrë një rrugë të re. Për shkak agresionit rus në Ukrainë momentalisht prioritet ka gjeopolitika, në vend të debateve për negociata me Ballkanin, shkruan Bernd Riegert.

Zhgënjimi është i madh tek kandidatët nga Ballkani Perëndimor që duan anëtarësim në BE. Prej dekadash atyre u premtohet anëtarësia, por për arsye të ndryshme nuk ecet përpara. Papritur Ukraina dhe Moldavia parakalojnë shtetet e Ballkanit. Në kohë rekord ato bëhen vende kandidate të BE.

Zhgënjimi është i kuptueshëm, por ai bazohet në supozime të gabuara. Në të ardhmen në zgjerimin e BE do të bëhet fjalë për gjeopolitikë, për mbrojtjen nga etjet imperiale të presidentit rus. Nuk bëhet fjalë më – si në rastin e Ballkanit Perëndimor dhe në masë të madhe rastit special Turqisë – për një përafrim politik dhe ekonomik të shoqërive aspiruese me standardet e BE            .Sfidë e nevojshme

 

Me vendimin historik për dhënien e statusit kandidat një vendi gjeografikisht kaq të madh si Ukraina, e cila gjendet në luftë, BE bën një ridimensionim të politikës së saj. Ky hap përmban rreziqe politike, siç u shpreh edhe politikani me përvojë, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Por rreziqe që duhen marrë parasysh. Ata që duan të guxojnë më pak, si Franca, Holanda, Portugalia, edhe Gjermania ngushëllojnë veten, se ky hap për momentin nuk kushton dhe një anëtarësim i vërtetë i Ukrainës pas vitesh negociatash i përket një të ardhmeje të papërcaktuar.

 

Ky hap historik për një kohë do të ketë efekt pozitiv edhe për vendet kandidate të Ballkanit. Sepse për BE rëndësi ka për momentin të zmbrapsë ndikimin rus dhe kinez në rajon. Kriteret e pranimit që kërkohen me kaq rreptësi kanë për t’u zbutur disi. Bllokada e panevojshme dhe bezdisëse e Bullgarisë duhet të marrë fund shpejt. Nuk mund të vazhdohet më kështu, që një vend i BE problemet e brendshme politike i shfryn duke marrë peng procesin e anëtarësimit. Jo vetëm Bullgaria, edhe Greqia dhe Franca aty ku iu është përshtatur kanë vendosur veton në këtë proces.

 

Ballkani duhet t’i zgjidhë vetë problemet e veta

 

Duhet thënë, se problemet e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor kanë të bëjnë vetëm në një masë të caktuar me BE. Pengesat më të mëdha duhet t’i mënjanojnë vetë vendet kandidate – kthimin në demokraci të stabilizuara, shteti ligjor, zgjidhja e konflikteve me fqinjët – këto probleme nuk i zgjidh BE. Këtë duhet t’i zgjidhin vetë këto vende. Bosnje-Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Shqipëria kanë akoma rrugë për të bërë në këtë drejtim.

 

Do të kishte qenë sigurisht pozitive, nëse 26 vendet e BE do të kishin dalë të bashkuar kundër Bullgarisë dhe do t’i kishin çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parimi i unanimitetit e ka penguar këtë. Në këtë kuptim samiti në Bruksel sërish ishte një shans i humbur, për t’i dhënë një hov të ri motivimit europian në Ballkan. Por ai dërgoi një sinjal shumë të fuqishëm në drejtim të Rusisë: BE megjithë vështirësitë është e gatshme, të ngrihet mbi veten dhe të pranojë Ukrainën. E Moska nuk mund ta ndalë këtë.

Presion për reformim të BE

 

Ky hap i guximshëm do ta ndryshojë BE. Ajo duhet të bëhet e aftë për pranime të reja, duhet të lehtësojë proceset e vendimmarrjes. Ndryshe nuk ka për të pranuar dot anëtarë të rinj. Kjo nuk është ndonjë gjë e re, por asgjë nuk është bërë vitet e fundit. Në BE janë shtuar populistët euroskeptikë për shkak të krizës financiare, të borxheve dhe refugjatëve dhe ka rënë aftësia pranuese. Nuk dihet, nëse shoku gjeopolitik me luftë që nisi Rusia do të jetë një pikë kthese në këtë trend apo do ta përforcojë atë.

BE këtë herë duhet ta bëjë më mirë, se në rastin e Turqisë, po ashtu një vend i madh potencial për në BE, që pjesërisht në vitin 2005 po për shkaqe gjeostrategjike do të pranohej. Në rrjedhën e këtij procesi të gjatë Turqia ka kaluar në kampin autokratik dhe nuk ka shans që në një të ardhme të parashikueshme të bëhet anëtare. Kjo nuk duhet të përsëritet me Ukrainën./DW

 

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Biden deklarohet pasi Senati amerikan miratoi projektligjin për kontrollin e armëve

Story i radhës

Drejtori sportiv i Bayernit për Gnabryn: Ne duam ta mbajmë atë

Të fundit nga