Guvernatori Gent Sejko takon përfaqësuesin e Bankës Botërore, diskutohet rreth rregulloreve për mbrojtjen e konsumatorit

September 18, 2024
1 minut lexim

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim pune me Emanuel Salinas, përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri.

Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike, ecurinë e kreditimit dhe depozitave. Ai theksoi se gjysma e parë e vitit 2024 është karakterizuar nga një rritje e mirë ekonomike, me zhvillime pozitive në tregun e punës në drejtim të papunësisë dhe nivelit të pagave, përmirësim i treguesve fiskalë dhe zbutje e ndjeshme e presioneve inflacioniste, të cilat u pasuan nga vendimi i BSH-së për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 3% në muajin korrik.

Gjithashtu Guvernatori diskutoi lidhur me një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë si modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Bankës së Italisë. Në këtë kuadër, Banka Botërore mund të luajë një rol mbështetës për këtë projekt me rëndësi strategjike për Bankën e Shqipërisë dhe zhvillimin e pagesave në vend.

Një tjetër prioritet i Bankës së Shqipërisë këtë periudhë, në të cilën angazhimi i Bankës Botërore mbetet i një rëndësie të veçantë, ka qenë përmirësimi i kuadrit rregullativ për sistemin financiar dhe sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave më të mira të konsumatorëve përballë zhvillimeve të vazhdueshme të këtij tregu.

Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, z.Salinas përgëzoi Guvernatorin Sejko për angazhimin e shfaqur gjatë zbatimit me sukses të projekteve të përbashkëta dhe u shpreh se Banka Botërore do të vijojë të angazhohet që programet e  asistencës teknike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohen edhe më tej.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Imami Maliqi takon Konjufcën, flasin për temën e shamisë së vajzave që arsimohen

Story i radhës

​Drone e raketa ruse mbi Rumani, “NATO duhet të reagojë fuqishëm”

Të fundit nga

ShkoLartë