Manchester City këtë sezon ka një kapiten të ri, teksa posti i rëndësishëm i është besuar Ilkay Gundogan. Mesfushori turko-gjerman është pjesë e The Citizens prej vitit 2016 e tashmë pas largimit të Fernandinho iu besua edhe shiriti i kapitenit.
Një privilegj për secilin lojtar, por jo një detyrë e lehtë dhe Gundogan së fundmi rrëfen se i është dashur të bisedojë me Fernandinhon në lidhje me ekzekutimin e detyrave si kapiten i skuadrës.
“Mund të them se roli im ka ndryshuar pak, sepse më duhet të flas më shumë me shokët e skuadrës.
Kam qenë me fat që në ekip ishte një si Fernandinho dhe pasi mora shiritin e kapitenit, kam biseduar edhe me të.
I kam kërkuar këshilla, në fakt unë nuk dua të ndryshoj shumë nga ajo çfarë bënte ai në dhomat e zhveshjes. Rëndësi ka harmonia e grupit”, u shpreh 31-vjeçari.